Nga: Vjollca Kongjoni*

TIRANË- Edhe pas rishikimit të buxhetit të vitit 2015, objektivat e qeverisë në mbledhjen e të ardhurave rezultojnë nën parashikimet. Të dhënat paraprake të ministrisë së Financave mbi treguesit fiskalë të muajit gusht tregojnë se deficiti i të ardhurave totale arriti në 15,3 miliardë lekë, duke pasqyruar një performancë të dobët në mbledhjen e tyre. Vijojnë të mos mblidhen të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat. Të krahasuara me planin, sipas buxhetit të rishikuar, të ardhurat rezultojnë sërish 48% më të ulëta apo 18,4 miliardë lekë më pak. Gropën më të madhe në buxhet vijojnë ta krijojnë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar me -4,3 miliardë lekë dhe Akciza në dogana në rënie me 6.6 miliardë lekë ndaj planit fillestar.

Në kohën kur ka kaluar pjesa më e madhe e vitit edhe investimet nuk kanë shkuar sipas planit fillestar duke u tkurrur me 22%, e duke lënë të papërfunduara projektet e nisura. Niveli i shpenzimeve të përgjithshme, deri në fund të mujit gusht është 9.6 % më i ulët se plani fillestar i buxhetit për këtë periudhë. Të krahasuara me vitin e kaluar por edhe me planin e këtij viti, sipas Financave, nuk janë realizuar as pagesat mbi papunësinë as ndihma ekonomike dhe as shlyerja e detyrimeve të prapambetura, sikurse ishte parshikuar dhe premtuar në planin vjetor të buxhetit.

Mbështetur në këto të dhëna, vështirë se deri në fund të vitit, qeveria të mund të arrijë objektivat në realizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve, ndonëse e ka rishikuar buxhetin përmes aktit normativ. Mundësia e vetme në këtë këndvështrim mbetet përmirësimi i realizimit të të ardhurave përmes mbledhjes së taksave nga lufta e nisur kundër informalitetit.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: