Me stofin e një ekipi kampion, Teuta rikthehej në Europë me dëshirën e madhe për të bërë mirë, për të shkuar larg, por çdo parashikim po bëhet nul. Me të drejtë tifozët durrsak dhe jo vetëm prisnin shumë nga ky ekip, i cili arriti të ruaj boshtin më të rëndësishëm, në fakt vetëm Dejvi Bregu u largua, por afrimi i Kallakut apo huazimi i Taulant Seferit e bënte këtë ekip edhe më cilësorë në letër. Eliminimi nga Sheriff Tiraspol mund të ishte edhe i pritshëm, por në dy përballjet dyshe me moldavët bregdetarët nuk dhanë asnjë sinjal pozitiv.

Inter Esclades në raundin e dytë në Conference League ishte rivali i duhur për ti dhënë aventurës evropiane një tjetër rrjedhë, por në mënyrë befasuese, kampionët durrsak jo vetëm që nuk u imponuan në lojë dhe rezultat por pësuan një humbje të rëndë 0-2 duke vënë në pikëpyetje të madhe kualifikimin, më saktë janë me një këmbë jashtë. Në ndeshjen e kthimit, Edi Martini duhet të gjejë një tjetër zgjidhje, ekipi i tij nuk funksionin thuajse në asnjë repart, nuk janë të saktë në pasin final, nuk kanë forcë goditëse dhe mbi të gjitha po gabojnë shumë edhe në mbrojtje, në pikën e tyre më të fortë. Në Andorra kërkohet një ndeshje perfekte në çdo detaj, kërkohet dhe një fitore e pastër për të shmangur një eliminim të turpshëm që mund të ketë jo pak ndikim edhe për sezonin e ri.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb