TIRANË – Shqipëria duhet të shqetësohet më shumë se Europa për atë po ndodh në Greqi, pas fitores së zgjedhjeve nga Alexis Tsipras dhe koalicionit “SYRIZA”. I këtij mendimi është z.Ilir Zhilla, Kryetar i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë.

I ftuar në emisionin “Të bësh ekonomi” të “News 24”, Zhilla tha se “grekët nuk kanë pasur shumë emocione për këto zgjedhje dhe shqetësimi ka qënë më shumë jashtë Greqisë sesa brenda saj. Por, nëse Evropa është e shqetësuar për atë ç’ka po ndodh, ne duhet të jemi më të shqetësuar, sepse jemi fqinjë, sepse kemi emigracionin, kemi tregtinë dhe biznesin grek që na lidh. Në Shqipëri veprojnë mbi 10 kompani greke, që kanë hapur biznese prodhuese dhe që janë me shumë rëndësi për ne, prandaj ne duhet ta shohim me realizëm situatën. Kriza që ka ndodhur para 5 vjetësh, – tha Zhilla, – ka bërë që shumë raporte ndërmjte dy vendeve të reduktohen dhe problemi financiar në Greqi mbetet një pikë shqetësuese.”

Në studion e emisionit “Të bësh ekonomi” ishin të ftuar edhe tri ekspertë të financave: z.Arjan Kadare, z.Mateo Spaho dhe Zv.Ministri i Bujqësisë Alban Zusi, që dhanë këto opionione.

ARJAN KADARE: MENDOJ SE GREQIA DO TE BJERE ME KEMBE NE TOKE

“Po të shohim premtimet elektorale të SYRIZA-s, të para zgjedhjeve, shohim se në to zinte vend sidomos rinegocimi i kushteve të borxhit, që Greqia ka marrë nga Trojka.D.m.th, këto shtete i dhanë borxh Greqisë që Greqia të shlyente borxhet që kishte deri në ato momente dhe tani kreditorët janë vetëm tre, ata të Trojkës.

Greqia vërtet është në situatë të vështirë ekonomike. Krahasuar situatën e saj sot, me atë të para 5 vjetëve, Greqia prodhon 75% të asaj që prodhonte dhe një punëtor grek merr sot në vit, pagën e 10 muajve që merrrte atëherë.

Tsipras premton që situatën e para 5 vjetëve ta kapim jo për dhjetë, por për 5 vjet. Unë mendoj se ata do të bien me këmbë në tokë, s’do të kërkojnë faljen e borxhit, por do të kërkojnë rinegocim, zgjatje të borxhit.

Greqia ka disa kërkesa për disa miliarda euro, që të paguajë këstet e borxhit dhe në rast se nuk paguan, hyn në radhën e atyre që falimentojnë. Unë mendoj se Greqia do të bjerë me këmbë në tokë në mënyrë që të arrihet diçka.”

MATEO SPAHO: “SYRIZA”, ME PREMTIME TEPER TE VESHTIRA PER T’U MBAJTUR

“Duhet të themi se në SYRIZA kemi personalitete që nuk kanë frikë të dalin nga euro, por dimë edhe që Greqia është paralajmëruar se me këtë, del automatikisht dhe nga Bashkimi Europian. Ne ende nuk e dimë se çfarë Greqia do të përcaktojë.

Elementi tjetër është se qytetarët grekë kanë dëgjuar mjaft premtime dhe vetë Kryeministri Tsipras ka thënë se asnjë nuk do të lihet në mëshirë të fatit. E bukur për t’u dëgjuar, po kjo do kosto shtesë. Këto janë premisa për një rritje të re të borxhit publik. Pra, ne duhet të shikojmë një platformë serioze të kësaj qeverie, në fakt, me premtime tepër të vështira për t’u mbajtur, për të mos thënë të pamundura.”

ALBAN ZUSI: NJE ZHVLEFTESIM I LEHTE I LEKUT DO TE NA BENTE MIRE

“Ajo që ndodh në Greqi është e përmasave shumë më të mëdha se në Shqipëri. Greqia tani nuk përbën të njejtën peshë specifike për produktet shqiptare dhe ekonomia jonë është e orientuar drejt vendeve të euros.

Për t’u parë është marrëdhënia e lekut shqiptar me euron dhe dollarin. Me dollarin, nuk është se na favorizon shumë kjo rritje. Ndërkohë që euroja është shumë e rëndësishme e ndoshta dhe një zhvlerësim i lehtë i lekut do të na bënte mirë.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb