Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Drejtoresha e Trashëgimisë  në Ministrinë e Kulturës,  Zhulieta Harasani, ka sqaruar për “GSH” çështjen e kalimit të linjës së OST-së (linjë e tensionit të lartë) mbi Koman. Në një vendim të marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë (pranë Ministrisë së Kulturës), është lejuar kalimi i kësaj linje mbi vendbanimin e Komanit, që konsiderohet mesjetar, por që ka të dhëna që nga periudha helenistike. Pak ditë më parë, arkeologia Etleva Nallbani, në një intervistë për “GSH”, doli kundër këtij vendimi, pasi sipas saj, dëmtohet sajti arkeologjik. “Nëse segmenti i linjës nuk ndryshon drejtim, vendbanimi arkeologjik vdes, pasi jo vetëm që s’përdoret dot asnjë mjet i studimit të vendbanimit me teknikat bashkëkohore (gjeofizike, gjeoradar, dron, etj., etj.), për shkak të fushave magnetike që krijohen, por institucionet kërkimore europiane nuk mund të vazhdojnë të investojnë në zbulimin e një vendbanimi për të cilin strukturat e trashëgimisë shqiptare tregojnë kaq pak sensibilitet, duke e çuar drejt shkatërrimit e braktisjes”, do të shprehej Nallbani, pjesë e ekipit të arkeologëve që prej 7 vitesh punon në Koman.
Ajo, pati nënvizuar se Komani, i njohur historikisht me toponimin Dalmace që në mesin e shekullit të 19-të, si vendbanimi mitik i shqiptarëve mesjetarë, arbërve, shtrihet në disa lartësi. Gjeografia komplekse përfshin kodër, luginë dhe disa shpate përreth, ku të gjitha së bashku (pas 7 vjetësh gërmime dhe një muaji të tërë survey nga dy specialistë të peizazhit historik), tregojnë se është i organizuar në disa zona e grupime, që nga periudha helenistike (shek. III para K.), deri në Mesjetë të vonë (shek. XVI).
Ndërkaq, sot, drejtoresha e Trashëgimisë, Harasani, mbas kërkesës sonë për një sqarim nga ana e saj, është shprehur se janë vetëm dy shtylla që do kalojnë në Koman, dhe këto do të jenë në zonën arkeologjike B (e një niveli të dytë rëndësie nëse krahasohet me zonën arkeologjike A ku nuk lejohet të ndërtohet). Harasani shtoi se punimet e vendosjes së dy shtyllave do të supervizohen nga arkeologët që gërmojnë aty prej vitesh.
“KKA shqyrtoi kërkesën e OST dhe propozimin e misionit francez për zonifikimin A dhe B të territorit ku do të kalojë linja e OST-së. Megjithëse propozimi për zonifikimin nuk ka marrë formën e një VKM-je, KKA e mori në konsideratë këtë propozim dhe vendosi spostimin e linjës (2 shtylla) në zonën B, ku sipas Ligjit të Trashëgimisë, lejohen ndërtime nën vëzhgimin e ekspertëve arkeologë. Madje KKA ia ngarkoi mbikëqyrjen e punimeve arkeologëve shqiptarë që propozuan zonifikimin. Për më tej, ASHA ka vendimin e zbardhur të KKA”, – tha dje zyrtarisht Harasani. Sipas saj, “KKA kishte një propozim nga grupi francez për ta zonifikuar vendbanimin e Komanit, në zonën A dhe B. Megjithëse nuk është VKM, ne u përpoqëm të respektonim kërkesën e arkeologëve për t’i dalë para ndonjë pakënaqësie, madje u vendos që të jenë ata që do të supervizojnë kur dy shtyllat e OST-së, të vihen në zonën B”. Duke ritheksuar se nuk është fjala për një linjë të tërë, por vetëm për dy shtylla që bien në zonjën B, Harasani ngulmon se vendimi i KKA, mbështet kërkesën e arkeologëve që gërmojnë në Koman. “Ne mbështetëm arkeologët megjithëse kishte kosto spostimi; ne vendosëm në favor të mendimit të arkeologëve”.
NJË MENDIM I DYTË, SI I PARI
Një tjetër anëtar i KKA është arkeologu Elio Hobdari. Edhe ai është kontaktuar nga “GSH”, dhe qëndrimi i tij është pak a shumë i njëjtë me drejtoreshën e Trashëgimisë në MK.
“Linja kalon mbi zonën B, jo mbi gjithë vendbanimin. Nuk dimë çfarë ka në zonën B, por është zona A ajo që është e paprekshme, dhe në zonën B, kuptohet që mbas gërmimeve arkeologjike, në rast se del në dritë ndonjë gjetje e veçantë mund të bëhet ndërhyrje. Puna që do bëhet për instalimin e linjës do të paraprihet nga puna e arkeologëve. Ekipi arkeologjik që është atje do të kontaktohet i pari dhe do thotë fjalën e fundit për çështjen”, – tha Hobdari. I pyetur se, nëse nuk ndryshohet tani që është një projekt në letër, sa gjasa ka që të ndryshohet drejtimi i linjës kur të jenë bërë investime, Hobdari u shpreh:
“Normalisht do të gjendet një zgjidhje. Inxhinierët e OST-së dhe specialistët e ASHA-s (Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik) shpjeguan që kjo ishte e vetmja mundësi. Aty, në mbledhjen e KKA-së, u shpjegua që linja nuk mund të kalojë më shumë se x metra mbi nivelin e detit, pra kishte disa parametra. Mua më shqetësonte edhe aspekti vizual, por, një prej specialistëve tha që, nga vendbanimi që është mbi kodër, linja do kalojë në një pjesë të poshtme që nuk do duket”.
Ndërkaq, ndonëse Harasani dhe Hobdari shprehen se vendosja e dy shtyllave bëhet në zonën arkeologjike B, ku sipas Ligjit të Trashëgimisë mund të ndërtohet, dhe jo në atë A, arkeologia Nallbani qe shprehur: “Linja e tensionit të lartë Shqipëri- Kosovë, do t’i kalojë paralel pikës më të lartë të vendbanimit, do t’i kalojë në lartësitë e mesme dhe në dy nga lagjet e poshtme, ku njëra ka qenë e banuar në periudhën romake dhe mesjetare, ndërsa tjetra në Mesjetë. Pra vërtet që shtyllat ndërtohen në limitin e zonës A, por ato nuk janë shtëpi apo pallate, ku të respektosh zonifikimet”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: