Policia ndonëse tentoi të hynte në banesën e shtetasit kinez Liangbin Chen, i cili kërkohet nga Kina për qëllime ekstradimi dhe mbahet në ‘arrest shtëpie’, ky i fundit ka refuzuar të lejojë blutë e Tiranës që të stacionohen brenda banesës.

Policia e kontaktuar nga News 24 pretendon se ka marrë kontakte me të për arsye pune. Prokuroria e Apelit shkaktoi skandal kur kërkoi ndryshimin e masës së arrestit nga me burg, në arrest shtëpie. Liangbin Chen, me profesion programues kompjuterik rezultonte në kërkim ndërkombëtar dhe akuzohej për “Mashtrim me pasoja të rënda”. Ai u arrestua në aeroportin e Rinasit rreth orës 14:00 të datës 11 korrik të këtij viti gjatë kontrolleve të pasagjerëve të linjës ajrore “Air Albania”, në fluturimin Londër-Tiranë.

Shtetasi kinez u arrestua për qëllime ekstradimi për arsye të masës së sigurimit “arrest në burg”, lëshuar nga autoritetet kineze pasi ai njihet si kreu i një grupi kriminal që ka realizuar grabitjen me mashtrim me vlerë rreth 145 milionë euro.

Ndaj tij fillimisht Gjykata e Tiranës la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, por Chen kërkoi zbutjen e saj dhe largimin nga qelia, për shkak se pretendonte se ishte i sëmurë. Çështja shkoi në Apel dhe gjykata vendosi masën “Arrest shtëpie” për shtetasin kinez, me arsyetimin se i rrezikohej jeta në qelinë e burgut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: