TIRANE- Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në një konferencë ku flitej për trafikun e qënieve njerëzore e ktheu vëmendjen tek altualiteti e zhvillimet e fundit me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ndonëse pa ia përmendur emrin, Xhafaj foli për trafikantë, prokurorë e gjyqtarë të korruptuar, të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi për moskapjen e tyre. Mes të tjerash Xhafaj theksoi se shumëkush mund të flas për trafikun dhe trafikantët, por harron prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

“Edhe sepse një gjë e tillë nuk është fort e lehtë në kushtet e një trafiku të madh të fjalës pa fre, të retorikës boshe, akuzave për përbaltje, delirimit pa kufij. Fjalime të tëra, deklarata patetike, emisione e shkrime pafund adresohen për trafikun dhe trafikantët, emrat e të cilëve janë temë e ditës. Ndërkohë që do të duhej të flisnim e debatonim parasëgjithash për thelbin e problemit, për mënyrën se si të përballemi me dukuri të tilla, që janë çdo ditë e më shumë transnacionale, pa ngjyrë e pa parti.
Të flisnin shumë më pak disa nga politikanët në rolin butaforik të prokurorit e policit, që çështjen e luftës kundër trafikut e shohin thjesht e vetëm si trafik karrigesh pushteti, për t’ju dhënë mundësinë të veprojnë ata që e kanë më së shumti këtë përgjegjësi – njerëzit e ligjit, gjyqtarët, prokurorët dhe policët. Të gjithë flasim për trafikun e trafikantët po harrojmë të ngremë zërin e kërkojmë llogari për njerëzit e drejtësisë, për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që në vite kanë ridënuar apo rivrarë viktimat për t’ju shpëtuar burgun lloj – lloj trafikantëve që sot shëtisin lirshëm pasi kanë fituar imunitetin prej drejtësisë së korruptuar. Të gjithë flasim për trafikun e trafikantët, por shumë pak flasim për të gjithë ata punonjës policie të ndershëm apo veprimtarë idealistë të shoqërisë civile që punojnë me përkushtim për tu përballur me trafikantët dhe për të shpëtuar e përkujdesur ndaj viktimave të tyre. Ndaj është rasti t’ju shpreh një mirënjohje të veçantë të gjithë veprimtarëve të shoqërisë civile që i janë përkushtuar me pasion e devotshmëri kësaj kauze të lartë njerëzore. Të shpreh mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë të ndershëm që kanë bërë”,- tha ai edhe pse nuk e specifikoi cilës ngjajre iu drejtua.

Po ashtu, Xhafaj shtoi se: “Lufta ndaj trafikimit të qënieve njerëzore është në fokusin e Qeverisë Shqiptare, është pjesë e rëndësishme e prioriteteve të Ministrisë së Brendshme edhe në 4 vitet e ardhshme. Trafiku i qënieve njerëzore është një dukuri negative në shoqëritë moderne që shkatërron jetë njerëzore dhe gjithashtu ushqen krimin e organizuar. Trafikimi i qënieve njerëzore është një formë skllavërie në kohërat moderne, e cila nuk është fenomen i vetëm një vendi apo shteti të caktuar dhe padyshim nuk është e limituar nga kufijtë kombëtare. Gjatë këtyre katër viteve, Shqipëria ka shënuar sukses në përpjekjet e saj në këtë luftë, duke u përqendruar kryesisht në fuqizimin e strukturave kombëtare të referimit për viktimat e trafikimit në nivel qendror dhe lokal, kontrollin e trafikimit të brendshëm, kryesisht të fëmijëve dhe të grave, përmirësimin e standardeve të identifikimit dhe mbrojtjes së viktimave dhe gjithashtu fushata të vazhdueshme ndërgjegjësimi në publik. Këtë e dëshmon më së miri edhe Progres Raporti i fundit i BE. Megjithatë, nuk jemi kurrë të kënaqur, sado progres të shënojmë në këtë drejtim. Ministria e Brendëshme, Policia e Shtetit do të vazhdojnë të jenë përherë kërkues dhe me tolerancë zero ndaj kësaj plage, e cila mbart në vetvete një potencial pasojash shkatërruese për jetën e individit dhe shoqërisë në tërësi. Dëshiroj të tërheq vëmendjen këtu në një aspekt tjetër shumë delikat, atë të trafikimit të të miturve për qëllime shfrytëzimi. Plani i Veprimit 2014-2017 ka qenë një mekanizëm efiçent në termat e ndjekjes penale, mbrojtjes, parandalimit dhe koordinimit, në luftën ndaj dukurie të shëmtuar dhe të rrezikshme. Si Ministër i Brendshëm shpreh vendosmërinë time që në Planin e ri të Veprimit të tregohemi më agresivë në këtë betejë. Pa dyshim në këtë luftë ne nuk mund të veprojmë të vetëm pa bashkëpunimin e vendeve të tjera fqinje, por jo vetëm. Kjo edhe për dy arsye madhore. E para për shkak se trafikimi i qënieve njerëzore përmban forma të dhunshme të krimit, dhe e dyta sepse trafikimi nuk ka vetëm viktima të drejtpërdrejta, pasi është një ndër shkaqet e formave të tjera të krimit të organizuar. Jemi gjithashtu të vetedijshem se pjese e arritjeve tona ne luftën kunder trafikimit jane edhe perpjekjet e vazhdueshme te shoqerise civile duke sherbyer me sherbime dhe keshillime ndaj viktimave te trafikimit.Do te kerkonim perseri qe keto perpjekje te perbashketa te intesifikohen me qellim arritjen e rezultateve edhe më më të mira. I gjithë territori i Republikës së Shqipërisë, në nivel lokal e qendror, në kryeqytet, në rrethe apo edhe në zonat më të thella do të duhet të jetë nën një kontroll edhe më të rreptë me synimin për të parandaluar, dhe për të reaguar shpejt ndaj dukurive të tilla. Synojmë më shumë bashkërendim dhe koordinim mes gjithë agjencive, qendrore dhe lokale. Kjo qasje është dhe thelbi i Policimit në Komunitet, një filozofi të cilën Policia e Shtetit do ta shndërroj në një qasje aktive të saj në funksion të objektivit të saj madhor: atë të sigurisë së qytetarëve. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë luftë me përkushtim.”.
(m.a/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: