Situata në Partinë Demokratike dhe zhvillimet e fundit atje, ishin temë diskutimi në emisionin “Pikat mbi I”, në “News 24”. Të ftuar në studio ishin avokati Spartak Ngjela dhe analisti Artur Zheji.

Ngjela deklaroi gjatë fjalës së tij, se ish-kryeministri Sali Berisha e ka shumë të vështirë të vërtetojë pjesëmarrjen e mbështetësve në Kuvend, mbledhjen e firmave për ta thërritur atë dhe vendimet e marra gjatë saj. Nga ana tjetër, analisti Zheji, tha se Berisha nuk mund të ndalohet nga drejtësia shqiptare, por nga faktori ndërkombëtarë.

Sakaq, Ngjela tha se Basha mposhti kryengritjen më 8 janar dhe është forcuar shumë politikisht.

Ngjela: Ai nuk ka parti. Partinë duhet ta marrësh me votë. Ai nëse ka vota të shkoj në gjykatë. Ne jemi përballë një bandiditzmi. Ka një sulm drejt biznesit të vogël që bëhet nga shërbimet e huaja. Këto janë fakte. Këto s’janë të rastësishme.

Zheji: Në momentet më kritike dhe ku ka udhëkryq amerikanët kujdesen me vëmendje. Ata pozicionohen kundra dhunës dhe e konsideruan të dhunshme atë e jo paqësore. Kjo është forca e Bashës dhe dobësia që ka Berisha. Berisha i numëroi votat vetë. Këto vota po nuk u panë nga një arbitër. Koha e tij politike është më i shkurtër se avashllëku i Gjykatës. Berisha s’ka kohë të presë gjykatën.

Ngjela: Berisha s’i ka numrat, duhet të shkojë në gjykatë. Nuk çohet në gjykatë një statut fantazëm. Në gjykatë çohet dhe thua që jam person juridik dhe e rrëzon me gjykatë. Nuk e ka hedhur në proces gjyqësor se ai të kërkon prova.

Zheji: Unë s’kam besim te drejtësia shqiptare. Sa raste vetëgjyqësie kemi, devocione vendimesh, pafund. Koha politike e Saliut përplaset. Ai ka kohën e vet politike.

Ngjela: Gjyqtari dha dorëheqjen sepse është i Saliut.

Zheji: Në momentin kur ish-kryeministri hyri në seli ishte akoma anëtar i PD, e më pas u shkarkua.

Ngjela: Ai është peng i dorës së fortë botërore, jo i Shqipërisë. Ata e kanë kapur, a ka hyrë brenda? Ai është i kapur nga drejtësia. Do të presim sepse janë bërë arreste sot. Atë e di politika penale.
Zheji: Vendos dora botërore e jo drejtësia shqiptare.
Ngjela: Ky është një shtet i NATO-s dhe çdo destabilizim e merr selia e madhe, si në të gjithë botën. Problemi qëndron se përderisa ke hyrë në strukturë destabilizimin e vendit s’ta lejojnë. Dora e ka kapur me prova. Ata që kanë prova po të duan e lëshojnë, po të duan e mbajnë.

Zheji: Basha përmendi rrënimi, rrënojat dhe kjo ishte fjala kyçe. Ai e nisi nga rrënimi i selisë, por kjo shtrihet edhe në bazë, aty ku ka demokratë të përçare. Forca përcaktuese e Bashës do të shihet nëse do të bëj një shumicë të ndjeshme në mënyrë të atillë që pakica që do qëndrojë me doktorin do e kuptojë se është e kotë të qëndrojë. Nëse superioriteti i Bashës bëhet dominuese dhe e qartë, atëherë edhe pjesa tjetër thotë po iki me shumicën se aty janë shanset e pushtetit.

Ngjela: Basha mposhti kryengritjen. Kryengritja i ka ulur pikë shumë PD, e më pas e diskrediton e ky tjetri duke thënë që është paqësore. Po sikur t’i kishin kapur deputetët aty ku ishin? Do i kishin vrarë. Ata të gjithë aty ishin në rrezik jete. Mbase kanë arrestuar personat që do të kryenin vrasjet. Basha është forcuar. Po të donte Basha i tradhtonte aleatët të shtunën, dilte e dorëzohej. Mos i merrni këto si gjëra të thjeshta, është i fuqishëm. Po pas kësaj e ka aftësinë të formojë polin e djathtë që ka qenë në krizë prej 30 vitesh? Shenjat janë që ai po merr forcë, edhe atje po reziston mirë. Nëse arrin të ndërtojë një pol real intelektiv, do të bëj mirë e do të jetë në pushtet.

Zheji: Protesta ku Spartak Braho në mënyrë provokative hodhi një shashkë e foli te një vesh publik, duke thënë se një person me inicialet E. A. do të vritej. Nuk përjashtohet ose të jetë vokacion, ose një informacion i rrjedhur. Ndoshta ka qenë ndihmë për sulmin. Ama kjo vërteton atë që qëndresa e Bashës dhe grupit parlamentar, tregon që është një qëndresë dhe akt politik i fortë. Ata kishin informacion që dhuna mund të shkonte në një agresion fizik. Mendoj që mungesa e masivitetit që doktori arrin të sigurojë, ishte e varfër në njerëz. Të dyja ishin të varfra gjithashtu. Ne e dimë që një lider politik, kur do të mbledhë njerëz sa aftësi ka. Duke qenë se kishte mungesë masiviteti kjo solli agrasivitet të shtuar. Berisha po futet me faull në këtë situatë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb