Zhvillimet në PD, ishin temë diskutimi në emisionin “Pikat mbi I”.

Analisti Artur Zheji tha se ish-kryeministri Berisha është e tashmja dhe e ardhmja e PD, ndërsa shtoi se me të në krye po bllokohet rotacioni i elitave. Nga ana tjetër, ish-Presidenti Bamir Topi tha se është fatkeqësi që mungon roli i opozitës dhe gjenerimi i elitave. Rikthimin e Berishës ai e cilësoi si rikthim për “halle personale”.

Zheji: Shohim një ndarje në dy valenca, grupe. Nga njëra anë kemi Berishën që de facto është kryetari i PD. Strukturat i ka, Këshillin e ka, zgjodhi kryesinë. Duket sikur filmi u lidh në vitin 2013. Periudha e Bashës u likuidua dhe ata që nuk janë dakord me Berishën ose janë armiq ose të shitur. Thuhet për Alibeajn që e bleu Rama. Zërat dytësor të PD e thonë këtë. Berisha nuk e njeh Alibeajn dhe e trajton si një të shitur. Ndërkohë edhe për Gazment Bardhin, konsiderohet si i shitur te krimi. Pas 2 këtyre shitjeve të mëdha dhe armiqve të rinj të zbuluar në gjirin e PD qëndron Taulant Balla. Ai vlerësohet shumë nga Berisha në mënyrë indirekte. Të gjitha këto gjëra që duket sikur ulin figurën e Taulantit. Kjo është një mënyrë që publiku s’e beson. Duket skemë e vjetër. Unë them që kjo është një frymë dëmtuese për të bashkuar të gjitha energjitë e opozitës demokratike. Demokratët duken se në shumicën e tyre janë dakord me këtë zgjidhje. Zërat kundra sulmohen egërsisht e kjo bën që të kemi një PD të militantëve të fortë dhe një PD që nuk e shohin veten aty në atë skuadër.

Topi: Duke parë një gjendje të pashpresë të kohezionit të grupeve të ndryshme të PD dhe parashikuar se deri kur do të shkonte akuza e ndërsjelltë kam thënë që për hir të demokracisë në Shqipëri që ka nevojë për opozitë. Për hir të emrit dhe historisë së bukur që ka PD, kjo histori dhe sigla duhet të arshivohen. Rruga e nisur do të çonte në një dekompozim në sy të publikut të historisë së PD dhe në një përplasje që do të shkonte sikurse është një lloj tradite. E kam parashikuar këtë situatë dhe aty jemi. Sipas meje si një mjek njeriu duhet ta thotë diagnozën ashtu siç e vështron. Ndryshe ajo s’i shërben as mjekut e as pacientëve. Diagnoza në rastin e PD është e disfavorshme. Ka një sigël që po e kalon betejën në disa standarde të pa imagjinueshme. Një parti e cila solli pluralizmin, që e adëroi Shqipërinë në të gjitha organizmat duke filluar me Këshillin e Evropës, NATO-s, heqjen e vizave. Këto i dedikohen qeverisjes së PD. Historia është e lexueshme, por ajo nuk po merret në konsideratë. Të gjithë po luajnë për historinë e tyre. Berisha nuk është njeri që fantazon në rrugëtimin e tij. Berisha është njeri konkret, çdo vendimmarrje është e mirëmenduar. Ajo që më bën të mendoj rikthimin e tij kur Shqipëria e ka domosdoshmëri për të gjitha krahët e politikës të ketë gjenerim të elitave, këtu kemi rikthim që bëhet për halle personale. Kjo më bën të mendoj që situata atje do të degjenerojë. Ky degjenerim do të shkojë në qelizë. Ka një grupim që de facto e kontrollon PD dhe një grupim tjetër që de jure është në drejtim. Ka edhe një grup tjetër që ka të bëjë me frymën. Ajo frymë nuk është më atje. Ajo që e dallon opozitës nga pushteti është fryma. Opozita ka frymë, ndërsa mazhoranca tenton të forcojë strukturën për të mbajtur pushtetin.

Zheji: Dëgjojmë nga mazhoranca shumëfishimin e zërit të kryeministrit që thotë Berisha është i vdekur, nuk ekziston. Jam kundra kësaj qasjeje. Është një provokim i rëndë po ndoshta është racional, për të krijuar faktorin e kundërt. Për të bindur demokratët që Rama ka frikë Berishën. Rama duke sulmuar egërsisht me këtë shprehje kërkon bindjen që ai është i vërteti dhe të tjerët janë ose të shitur, se nuk janë opozitarët që duhet. Është lojë e nëndheshme, tinzare. Shihet një ndeshje pa top. Duke faktorizuar këtë i jep Berishës instrumentet që i duhen për t’u imponuar bë botën e PD si i vetmi lider konkret. Kjo është mënyrë konkrete për të bllokuar rotacionin e elitave. Ato mbesin po ato. Përcaktohet edhe elitat e lodhura që do të ripërsërin atë gjënë që është e shkruar në ADN. E ardhmja e PD është kjo që shohim. Askush s’e kishte imagjinuar që më 8 janar do të sulmohej selia e PD.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb