Pjesa finale e sezonit në disa kategori e bën edhe më të nxehtë luftën për titull, mbijetesë dhe për objektivat personale që kanë skuadrat shqiptare. Gjykimi i arbitrave mbetet një çështje delikate në ambientet shqiptare të futbollit, ku shpeshherë nuk kanë munguar polemikat në drejtim të “Bluzave të Zeza”. Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, kreu i Komitetit të Arbitrave, Tahir Kastrati bëri një rezyme të punës së tyre dhe mbrojti integritetin e arbitrave. Por kjo ishte edhe pika e diskutimeve të asamblesë, që ngjalli më shumë debat me presidentët e Tiranës dhe Skënderbeut. Refik Halili kërkoi që federata të jetë më e kujdesshme në caktimin e arbitrave për ndeshjet ku luajnë skuadrat pretendente për titullin. “Ndeshjet mes 4 ekipeve kryesore duhet të arbitrohen nga arbitra të përgjegjshëm. Nuk është mirë që për shkak të vendimeve të tyre të gabuara të hidhet poshtë investimi i një viti të tërë. Unë gjithsesi jam kundër arbitrave të huaj”. I menjëhershëm ishte reagimi i kreut të federatës, Armand Duka, i cili u shpreh se federata punon në këtë aspekt çdo ditë për të caktuar arbitra me integritet në çdo kategori, edhe pse gabimet e tyre në disa ndeshje të kategorive inferiore kanë qenë të dukshme. Në krahun tjetër, presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj kërkoi përgjigje për mungesën e masave ndaj arbitrave që kanë gabuar. “Përse nuk janë marrë masa ndaj arbitrave që kanë gabuar në disa ndeshje rresht?”. Në vazhdim të debateve, përfaqësuesi i Apolonisë kërkoi që arbitrat të mos kenë paragjykime ndaj skuadrave të ashtuquajtura të vogla dhe të mëdha.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: