Nga: Rezarta Delisula
Para pak ditësh, në ceremoninë e promovimit të librit “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave” (botim i “UET PRESS”), të kolegut tonë, Dashnor Kaloçi, midis atyre që e morën fjalën ishte edhe 81-vjeçari Zija Lepenica, i cili zgjoi kureshtjen e të pranishmëve, jo vetëm për faktin se kishte bërë 25 vjet burg politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës, por edhe lidhur me ato që ai shprehu për shkrimtarin e njohur Ismail Kadare. Si konsideratat e tij personale, edhe ato të bashkëvuajtësve të tij në burgjet politike të Enver Hoxhës, dhe ato çka atij i thoshte vëllai i tij, Sadik Premte, një nga kundërshtarët më potencialë të Enver Hoxhës nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1991. Për të mësuar diçka më shumë rreth këtyre, ne shfrytëzuam rastin dhe i morëm një intervistë z. Lepenica, të cilën po e botojmë të plotë në këtë shkrim.

Zoti Zija, para se të ndalemi dhe të flasim për ato çka ju shprehët lidhur me shkrimtarin Ismail Kadare etj., në promovimin e librit “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, a mund të na thoni diçka shkurtimisht për veten, pra kush është Zija Lepenica dhe lidhja juaj me Sadik Premten?
Unë jam me origjinë nga fshati Lepenicë i rrethit të Vlorës, ku dhe kam lindur në vitin 1935, fshat nga i cili ne trashëgojmë dhe mbiemrin. Sadikun unë e kam vëlla nga nëna. Nëna e Sadikut dhe e imja gjithashtu, është quajtur Hasime dhe ishte me origjinë nga fisi Rrap Laba i fshatit Gjorëm. Ndërsa Sadiku nga babai, është me origjinë nga fshati Gjorëm i Vlorës, ku familja Premtja ka qenë tepër e njohur dhe në gjendje të mirë ekonomike gjithashtu. Babai i Sadikut është quajtur Feçorr Premtja dhe ka qenë pjesëmarrës në luftën e Janinës në vitet 1913-1914, ku dhe mbeti i vrarë duke luftuar për pavarësinë e Greqisë. (Në atë luftë, bashkë me babanë e Sadikut kanë marrë pjesë dhe shumë shqiptarë të tjerë, të cilët kanë treguar trimëri të rralla dhe kënga e famshme ‘Janinës ç’i panë sitë’, që këndohet prej vitesh prej ‘grupit Çam’, iu kushtohet këtyre burrave që derdhën gjakun për pavarësinë e Greqisë). Kështu Sadiku, që ka lindur në janarin e vitit 1915, nuk e pa kurrë të atin, pasi ai e la në bark të nënës. Pasi mbeti e ve, pak vjet më pas, Hasimije u martua me Tafil Hoxhën, nga ku linda edhe unë dhe motrat e vëllezërit e tjerë më pas. Babai ynë Tafil Hoxha, ashtu si dhe gjithë pjesa tjetër e fisit, kanë mbajtur mbiemrin Lepenica, që e mbaj dhe unë.
Siç dihet nga historia, Sadik Premtja, një nga themeluesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe kreu i Grupit Komunist të të Rinjve, është larguar nga Shqipëria në vitin 1944 pas konflikteve që ka pasur me Enver Hoxhën. Ju, e mbani mend Sadikun para se ai të largohej?
Po patjetër, e mbaj mend shumë mirë Sadikun dhe e kam takuar disa herë, edhe pse ai u rrit te gjyshërit e tij nga babai në fshatin Gjorëm, ndërsa unë jam rritur që i vogël në jetimore. Për herë të parë e kujtoj diku aty nga viti 1941, kur unë isha 6-7 vjeç dhe Sadiku rrinte në oborrin e shtëpisë sonë së bashku me Hysni Lepenicën, Hazis Çamin, Skënder Muçon dhe dy bashkëfshatarë, dhe bënin muhabete me njëri-tjetrin. Po kështu, gjatë periudhës kur unë isha në Strehën Vorfnore në Tiranë, në vitet e luftës 1941-1944, ai vinte dhe më takonte herë pas here. Ndërsa për herë të fundit e mbaj mend dy-tre ditë para se të mbaronte lufta në Tiranë, diku aty nga mesi i nëntorit 1944. U takuam rastësisht te “Rruga e Kavajës”, ku ai më mori në krah, më përqafoi dhe pasi më dha kuletën e tij me fare pak të holla, më tha: “Ik tani shpejt në konvikt dhe mos dil më që andej se do fillojë lufta”. Që nga ajo kohë nuk e pashë më, deri në vitin 1990, që shkova në Paris dhe qëndrova me të derisa ndërroi jetë, në 7 prill të vitit 1991.
Para se të dalim dhe të flasim për atë periudhë kohe që keni qëndruar me Sadikun në Paris, deshëm të dimë: gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, a keni pasur probleme për shkak se ishit vëllai i Sadik Premtes?
Si fillim po ju them se kam vuajtur plot 25 vjet burg politik në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës, dhe e gjitha kjo për të vetmin shkak, se isha vëllai i Sadik Premtes. Problemet e mia me pushtetin komunist filluan që në vitin 1945, sapo ai regjim erdhi në fuqi. Që në muajt e parë të ardhjes së komunistëve në pushtet, kur nuk isha më shumë se 11-12 vjeç, mua më përjashtuan nga Streha Vorfnore e Tiranës dhe atë gjë ma komunikoi vetë Komandanti i Shkollës Ushtarake të Kadetëve, Halim Xhelo, i cili më pas u bë gjeneral-major dhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Në atë kohë unë banoja në konviktin e jetimores, ndërsa mësimet i vazhdoja në shkollën ushtarake të Kadetëve (ku Halimi ishte komandant), për oficer, pasi në atë kohë nuk e dinin se unë isha vëllai i Sadik Premtes, pasi kisha mbiemrin Lepenica. Mirëpo sa u mësua kjo gjë, më thirri Halim Xhelo dhe më tha: “O kulish i Xhepit (pseudonimi i Sadikut), nën hundën time do hash bukë ti”!? Dhe i tha kapterit që më shoqëronte: “Përjashtojeni urgjent nga shkolla këtë; nuk mund të rritet nën hundën time kulishi i Sadik Premtes”. Kështu më përjashtuan nga shkolla dhe nga konvikti po atë ditë. Pas shumë peripecive, mua më rriti burri i motrës sime, Gani Shefiti, nga Vlora, i cili pranoi dhe vuajti gjithë persekucionin vetëm për shkak se më mbajti e më rriti mua.
Kur jeni dënuar me burg politik dhe ku e keni vuajtur dënimin?
Unë jam dënuar për herë të parë në vitin 1960, kur punoja në rrethin e Durrësit (për shkak se aty ishte vendosur familja e motrës sime, që më merrte mua me vete kudo), dhe më dhanë dhjetë vjet burg politik. Pasi kam dalë, jam dënuar edhe dy herë të tjera, dhe si përfundim jam liruar në vitin 1989, duke vuajtur plot 25 vjet burg politik. Këto dënime i kam vuajtur pothuaj në të gjitha kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, që nga burgu i Vlorës, në kampet e Elbasanit, Fushë-Krujës, Laçit, Spaçit, Ballshit etj. Unë jam liruar nga kampi i Tiranës, ku kam qenë në sektorin e përkthimeve që kishte hapur Ministria e Brendshme në ato vite. Bashkë me mua aty ishin edhe; Ilia Tereska, Eduart Ypi, Robert Vullkani, Xhavit Qesja, Petrit Velaj etj., emra e personalitete të njohur, intelektualë të spikatur në fushat e tyre, disidentë apo kundërshtarë të deklaruar të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Pas nesh aty kanë ardhur dhe Pjetër Arbnori, Abdulla Sallaku, Patër Zef Pllumi etj., miq dhe shokë të ngushtë gjithashtu.
Te promovimi i librit “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, të kolegut tonë Dashnor Kaloçi, në fjalën tuaj ju folët diçka edhe për shkrimtarin Ismail Kadare. A mund të na thoni diçka më tepër nga sa folët aty? Pra, lidhur me diskutimet që bëheshin në burgjet ku ju vuanit dënimin, për shkrimtarin Ismail Kadare, si nga bashkëvuajtësit që përmendët më lart, apo të tjerë…?
Po, patjetër! Ashtu siç u shpreha edhe atë ditë në promovimin e librit që ju përmendët, shkrimtari ynë i njohur, Ismail Kadare dhe vepra e tij, kanë qenë shpesh objekt debatesh dhe bisedash të gjata në kampet dhe burgjet e Shqipërisë. Kështu edhe unë kam marrë pjesë në ato debate e biseda të gjata me bashkëvuajtësit e mi. Desha të theksoj se pjesa më e madhe e bashkëvuajtësve tanë nëpër burgje, kudo që kemi qenë, ishin adhurues të shkrimtarit Ismail Kadare dhe e vlerësonin shumë atë. Një nga ata të dënuar politikë që e ka vlerësuar dhe e vlerëson përsëri shkrimtarin Ismail Kadare dhe veprën e tij, jam edhe unë. Dhe nuk e kam ndryshuar kurrë këtë mendim dhe as kam qenë ndonjëherë i dyzuar për këtë. Për mua, Ismail Kadare është një shkrimtar i rangut botëror dhe vepra e tij është vlerësuar e përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës. Por, ashtu siç theksova edhe në promovimin e librit të Kaloçit, në kampe dhe burgje ka pasur edhe mjaft të burgosur që nuk ishin të këtij mendimi për Kadarenë, por e quanin atë si shkrimtar që i shërbente regjimit. Kështu, ne që e vlerësonim shumë Kadarenë, apo ata që e kishin idhull dhe e adhuronin, i konsideronim ata që flisnin kundër Kadaresë, si smirëzinj. Unë vetë, iu thosha bashkëvuajtësve të mi me të cilët bënim debat: “Vepra e Kadaresë është thikë me dy presa; ajo shkëlqen aq shumë sa të verbon. Ai shkruan për ata që kanë veshë të dëgjojnë dhe mendje të kuptojnë”. Dhe iu shpjegoja gjatë për kolosë të tillë, nobelistë, si për Pastërnakun, Shollzenicinin, Shollohovin, apo dhe Bethovenin, si për krijimtarinë e tyre, edhe regjimin ku ata krijuan. Gjëra të cilat tashmë janë të njohura dhe nuk dua të biem në përsëritje.
Të kthehemi te vëllai juaj, Sadik Premte; si arritët ta takonit duke shkuar deri në Paris në vitin 1990?
Në vitin 1990, pak kohë pa u hapur ambasadat, unë me anë të disa miqve të mi dhe të njohurve të rastit, arrita që të ikja nga Shqipëria dhe të shkoja në Paris, ku më priti vëllai im, Sadik Premtja. Kam ikur së bashku me Luan Kokën, bashkëvuajtësin tim, nëpërmjet peripecish të shumta, duke përfituar nga disa pasaporta që dha Ramiz Alia në atë kohë, si shenjë se po bënte ndryshime demokratike. Por ne nuk dinim gjë se kjo ishte lojë dhe me porosi të Ramiz Alisë, që neve që na konsideronin si armiq e të rrezikshëm gjoja, të na shporrnin nga Shqipëria. Dhe po ashtu politika e Ramiz Alisë, gjoja me politikë zbutjeje, rezultoi se nuk ishte gjë tjetër veçse ‘hi syve Perëndimit’, për të bërë të mundur që t’i zgjaste sa më shumë jetën pushtetit të tij. Them kështu, pasi dihet fare mirë se ç’ndodhi me ambasadat apo vrasjet në kufi deri në mesin e vitit 1991.
Të kthehemi te takimi juaj me vëllanë, Sadik Premten; na thoni shkurtimisht diçka më shumë rreth figurës së tij dhe ato çka ai ju thoshte për shkrimtarin Ismail Kadare?
Siç ju thashë më lart, unë qëndrova në Paris me vëllanë tim, Sadikun, nga qershori i vitit 1990 deri më 7 prill të vitit 1991, ku ai ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare. Në varrimin e Sadikut, morën pjesë rreth 350-400 vetë, dhe mes tyre mjaft personalitete të njohura të Internacionales Komuniste dhe gjithashtu Partisë Socialiste të Francës, miq të ngushtë nga stafi i Fransua Miterand. Siç dihet nga historia, Sadiku ishte një nga drejtuesit kryesorë të Grupit Komunist të të Rinjve, që mori pjesë edhe në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste më 8 nëntor 1941. Dhe që nga ajo ditë, Enver Hoxha e shpalli armik e tradhtar dhe urdhëroi vrasjen e tij dhe të Anastas Lulës, shokët më të ngushtë të Sadikut. Anastasin e vranë diku në Qafën e Gllavës në Tepelenë, dhe vrasësit e tij, Enver Hoxha i ngriti në detyra e poste të larta pas vitit 1945. Ndërsa, për të eliminuar Sadikun, Enveri shkoi vetë në Vlorë, në atë që tashmë njihet në historinë e Partisë Komuniste të Shqipërisë si “Inkursioni i Enver Hoxhës për shpartallimin e fraksionit të Xhepit”, që ishte pseudonimi i Sadikut. Enveri dhe njerëzit e tij eliminuan fizikisht disa mbështetës të Sadikut, por Sadiku mundi të shpëtonte, duke u larguar nga Vlora për në Tiranë dhe më pas në Shkodër. Prej nga ku, më 15 nëntor 1944, iku në këmbë deri në Trieste, duke e përshkuar atë rrugë për tre muaj. Pasi qëndroi për disa kohë në kampin e Barletës, ku ishin ajka e refugjatëve politikë të Shqipërisë, si Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Zef Pali, Gaqo Gogo etj., ai u largua që andej dhe u vendos përfundimisht në Francë. Sadiku u diplomua në Paris për Ekonomi Politike dhe ka punuar si menaxher në kompaninë e njohur “SNAC”, derisa doli në pension në vitin 1986. Po kështu, ai është marrë me aktivitet të dendur politik, duke qenë kryetar i Internacionales IV Komuniste për seksionin e Shqipërisë. Dhe, gjëja më kryesore që desha t’ju them për Sadiku, është ajo që Enver Hoxha, edhe atje në Francë, tentoi disa herë që ta eliminonte fizikisht Sadikun, duke i bërë tri atentate. Por ai shpëtoi mirë, edhe pse i dërguari i Sigurimit të Shtetit, Xhemal Çami, arriti ta godiste me sëpatë në kokë. Të gjitha këto dhe të tjera për Sadikun i kam me dokumente arkivore, dhe për këto është duke përfunduar një monografi gazetari Dashnor Kaloçi, e cila pritet të dalë nga mesi i dhjetorit.
Të kthehemi te bisedat tuaja me Sadikun; çfarë ju thoshte ai për shkrimtarin Ismail Kadare?
Gjatë atyre muajve ne bënim biseda nga më të ndryshmet dhe kryesisht të karakterit politik, siç ishte dhe periudha në atë kohë, kur po binin sistemet komuniste të Evropës Lindore, e Shqipëria gjithashtu. Sadiku kishte një bibliotekë të pasur dhe mes shumë librave, ai kishte dhe të gjitha veprat e Kadaresë në frëngjisht. Sadiku e vlerësonte jashtëzakonisht shumë Kadarenë dhe gjithë veprën e tij, dhe më fliste gjatë dhe me superlativa për të. Dhe, nisur nga kjo, pas ardhjes së Kadaresë në Francë në tetorin e vitit 1990, Sadiku më thoshte shpesh: “Ore Zija, po si nuk vjen të më takojë Ismail Kadareja mua këtu?! Do t’i kisha treguar shumë e shumë gjë-ra mbi fytyrën e vërtetë të Enver Hoxhës dhe krimet e tij!” Unë mundohe-sha t’i shpjegoja se nuk ishte dhe aq e lehtë ajo punë, por Sadiku vazhdonte në të tijën, duke shp-resuar se një ditë do të takohej me Kadarenë për të biseduar dhe për ta përgëzuar gjithashtu për veprën e tij dhe sfidën që ai i kishte bërë Enver Hoxhës. Këtë ma thoshte shpesh. Në atë kohë ishte i sëmurë dhe nuk dilte më nga shtëpia, dhe kështu ndërroi jetë, me pengun në zemër që nuk arriti të takohej dot me Kadarenë!
Duke ju falënderuar, shpresojmë të kemi të parët kopjen e monografisë?
Ju faleminderit juve dhe “Gazetës Shqiptare” gjithashtu, për të cilën gjej rastin të shpreh vlerësimet më të larta, pasi për vite me radhë, keni qenë dhe po mbeteni si një dritare për ne ish-të burgosurit dhe të dënuarit politikë, ku neve na është dhënë mundësia të tregojmë të kaluarën tonë dhe krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Dhe besoj se shpreh këtu edhe mendimin dhe vlerësimet e shumë bashkëvuajtësve të mi. Sigurisht që ju do ta keni të parët librin që do të dalë në muajin dhjetor, me detaje e dokumente të panjohura më parë.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: