Ministria e Brendshme Federale dhe Zyra Federale Kriminale (BKA) e Gjermanisë dhurojnë pajisje moderne teknike dhe informatike për Task Forcën “Anti Skifter”.

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me një numër të kufizuar pjesëmarrësish për shkak të masave anticovid, është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të këtyre pajisjeve.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri z. Peter Zingraf, Oficeri Ndërlidhës i BKA-së Gjermane, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtues të lartë në Policinë e Shtetit dhe përfaqësues të Task Forcës “Anti Skifter”.

Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu dhe ambasadori i Gjermanisë z. Zingraf kanë vlerësuar ngritjen e Task Forcës “Anti Skifter”, rezultatet e arritura deri tani dhe rolin e kësaj Task Force në shkëmbimin e informacionit me partnerët ndërkombëtarë të vendeve të ndryshme evropiane.

“Hapat e para për krijimin e Task Forcës u hodhën në fillim të vitit 2017. Organizimi i një workshop-i, në janar 2017, i hapi rrugën një bashkëpunimi të frytshëm me Policinë Gjermane, por u shtri edhe më tej me policitë e vendeve të tjera të vendeve të BE-së. Që nga muaji shkurt 2017, një grup i kufizuar specialistësh policie, përveç angazhimeve të tjera të punës së përditshme, u ngarkuan me detyrë që të shkëmbenin informacion edhe në kuadër të Task Forcës, e cila u emërtua “Anti Skifter”.
Rezultatet e para të këtij bashkëpunimi ishin mbresëlënëse. Duke parë që kjo strukturë po funksiononte, si dhe nisur nga kërkesat në rritje për bashkëpunim, u vendos krijimi i Task Forcës ‘Anti Skifter’.
Kjo Task Forcë do të kishte objekt pune përshpejtimin e procedurave të verifikimit dhe shkëmbimit të informacionit dhe kryerjen e veprimeve procedurale në bashkëpunim me strukturat ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Evropian, për shtetasit shqiptarë të dyshuar si autorë të veprave penale për vjedhjet e banesave dhe objekteve të tjera në vendet respektive.
Sigurisht një vend të rëndësishëm në bashkëpunimin e deri tanishëm ka zënë bashkëpunimi i Task Forcës ‘Anti Skifter’ me Policinë Gjermane, i cili ka qenë jo vetëm në shkëmbimin e shpejtë dhe ndërsjellët të informacionit, por edhe në takime operacionale të përbashkëta dhe çeljen dhe ndjekjen e procedimeve penale paralele, në këtë drejtim”, deklaroi Veliu.

Ai tha më tej se që nga fillimi i funksionimit të kësaj strukture dhe deri tani janë zhvilluar 8 takime operacionale dhe 5 video-konferenca, me kolegë të Policisë Gjermane dhe përfaqësues të organeve ligjzbatuese gjermane në rajone të ndryshme në Gjermani.

“Pa dyshim, pjesë e rëndësishme e suksesit e funksionimit të kësaj strukture është mbështetja e dhënë në vazhdimësi me pajisje, infrastrukturë dhe trajnime nga Ambasada Gjermane në Tiranë dhe Policia Gjermane, me fondacionin gjerman ‘Hanns-Seidel’.
Për këtë dua të falënderoj në mënyrë të veçantë zotin ambasador për mbështetjen që na ka dhënë deri tani, si dhe Policinë Gjermane, të cilët edhe sot janë këtu në dorëzimin e pajisjeve të tjera për strukturën Task Forca “Anti Skifter”.
Ne besojmë se bashkëpunimi me Policinë Gjermane do vazhdojë në të ardhmen, nëpërmjet përfshirjes sonë në projekte, asistencë teknike dhe mbështetje financiare, gjë e cila do të përmirësojë kapacitetet tona, në drejtim të parandalimit, zbulimit, dokumentimit dhe goditjes së aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare, në Gjermani dhe vendet e tjera të BE-së.
Dëshiroj të shpreh bindjen se falë edhe këtij bashkëpunimi, ne do të rrisim më tej rezultatet tona, duke u bërë në këtë mënyrë partner të denjë me agjencitë ligj zbatuese gjermane dhe ato të Bashkimit Evropian”, tha Veliu.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri z. Peter Zingraf, gjatë fjalës së tij, vlerësoi rolin e Task Forcës “Anti Skifter”.
“E kam kënaqësi të veçantë që jam sot këtu, për të theksuar akoma më tepër bashkëpunimin mes autoriteteve gjermane dhe atyre shqiptare. Vjedhjet e banesave ndoshta nuk hyjnë tek krimet më të rënda të mundshme, mirëpo ato kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në ndjenjën dhe ndjesinë e sigurisë tek qytetarët, dhe kjo është një ndjenjë e vazhdueshme. Autoritetet e drejtësisë në Gjermani kanë forcuar betejën dhe luftën e tyre kundër autorëve të bëjnë vepra të tilla penale dhe ata autorë që kryejnë këto vepra penale kanë nënshtetësi të ndryshme, ndër to edhe nënshtetësi shqiptare.
Task Forca ‘Anti Skifter’ ka rezultuar si një model suksesi. Ka qenë një model suksesi për bashkëpunimin midis autoriteteve gjermane dhe shqiptare, mirëpo ka qenë gjithashtu një model suksesi edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar edhe me partnerë të vendeve të ndryshme evropiane, për shkëmbimin e informacionit midis tyre.
Që nga viti 2018, numri i kërkesave që është përpunuar nga kjo Task Forcë është dyfishuar edhe sigurisht që me mbarimin e pandemisë pritet sërish një rritje e numrit të tyre. Vetëm duke qenë të pajisur më së miri me pajisjet e duhura, teknikën e duhur dhe gjithashtu me personel mund të përballohet ky fluks pune që pritet të rritet me kalimin e pandemisë COVID-19. Kjo cilësi mund të ruhet gjithashtu për të pasur arrestime të ndryshme dhe dënime të autorëve.
Për këtë arsye kemi kënaqësinë që jemi sot këtu së bashku për të dorëzuar pajisje teknike moderne informatike për Task Forcën, të cilat do ta bëjnë akoma më mirë në gjendje Task Forcën që të vazhdojë atë cilësi të shkëlqyer pune që ka pasur deri tani dhe gjithashtu do të arrijë nëpërmjet kësaj mbështetjeje që të përshpejtojë bashkëpunimin për të luftuar krimin e në formën e tij të organizuar dhe në forma të tjera”, deklaroi ambasadori gjerman.

Ai tha se është e rëndësishme që të kemi personel të mirëkualifikuar, duke falënderuar ekipin e ekspertëve, të cilët kanë një imazh shumë të mirë ndërkombëtar dhe janë kthyer në një simbol të bashkëpunimit të vendeve tona dhe në rang ndërkombëtar.

“Në këtë prizëm ne do të vazhdojmë të mbështesim Task Forcën. Ju falënderoj shumë për ngritjen e kësaj Task Force dhe do të doja që të përcillja këtu edhe falënderimet e presidentit të BKA-së. Ju uroj edhe më tej shumë suksese në luftën tuaj të rëndësishme kundër krimit në rang kombëtar dhe ndërkombëtar dhe ju garantoj se me BKA-në dhe ambasadën keni një partner serioz, të cilin do ta keni në anën tuaj gjithmonë për t’ju mbështetur”.

Në përfundim të ceremonisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe ambasadori Zingraf nënshkruan aktin e dhurimit të pajisjeve dhe më pas të pranishmit panë nga afër pajisjet e dhuruara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb