Televizioni shtetëror grek vijon edhe sot maratonën televizive të titulluar “Zinxhir mbështjeje për Shqipërinë”. ERT kanali shtetëror grek, bashkohet me kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe mbarë Shqipërisë në një fushatë sensibilizimi të gjithë Greqisë, për të mbledhur ndihma për popullin shqiptar. Në këtë transmetim maratonë që jepen fakte e dëshmi për tërmetin e 26 nëntorit në Shqipëri, mblidhen fonde që do kalojnë për ndërtimin e banesave të reja.

Gjatë transmetimeve live moderatorët e emisionit bisedojnë me gazetarë që kanë qenë në Shqipëri, me sizmologë, shkëncëtarë, shkrimtarë e artistë grekë, por edhe përfaqësues të komunitetit shqiptar, që kanë drejtuar mesazhe të fuqishme solidariteti. Në ekran shfaqet numri 14584 ku telefonohet dhe dërgohen mesazhe, që kushtojnë secili 3 euro.

Telefonatat dhe sms-të e solidaritetit janë të shumta në studio nga mijëra qytetarë grekë e shqiptarë që jetojnë në Greqi.  Këto para mblidhen në fondin e Kishës Ortodokse që do t’i përdorë për ndërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti. Maratona televizive në ERT greke do të vazhdojë deri të dielën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: