Të paktën tetë persona humbën jetën në Sevastopol të Krimesë për shkak të zjarrit në disa banesa të përkohshme për punëtorët e ndërtimit.

Ngjarja ka ndodhur gjatë natës dhe sipas autoriteteve lokale ruse, zjarri ishte rezultat i djegies së një pajisjeje elektrike, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

Punëtorët po ndërtonin autostradën Tavrida, një rrugë e re që lidh Sevastopolin dhe Simferopolin.

Ministria e Emergjencave konfirmoi se tetë persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën.

Sevastopol është shtëpia e Marinës Ruse në Detin e Zi dhe qeveriset nga Moska.

Pavarësisht aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, Ukraina ende pretendon gadishullin dhe ka deklaruar synimet për ta rimarrë atë me forcë.

Gadishulli i Krimesë ka një rëndësi të madhe strategjike dhe simbolike për të dyja palët.

Kërkesa e Kremlinit që Ukraina të njohë Krimenë si pjesë të Rusisë ka qenë një nga kushtet e saj kryesore për t’i dhënë fund luftimeve, ndërsa Ukraina është zotuar të dëbojë rusët nga gadishulli dhe të gjitha territoret e tjera të pushtuara.

Rusia aneksoi ilegalisht Krimenë në vitin 2014 dhe nisi pushtimin e saj të paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb