Vatrat e zjarreve në Dukat të Vlorës, kanë rrezikuar së tepërmi edhe Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Kjo konfirmohet për “BalkanWeb”, nga gazetari Enrik Mehmeti, i cili rrëfeu se në terren ndodhen rreth 200 trupa, përfshirë efektivë të zjarrfikëses, Forcave të Armatosura dhe vullnetarë, të cilët po punojnë të shuarjen flakët.

Sipas tij situata është e rënduar dhe kërkohet një forcë më e shtuar nga ajri për të normalizuar situatën, pasi sipas gazetarit, nëse zjarri depërton në thellësi të pyllit, në zonat me pisha, shuarja e flakëve do të bëhet tepër e vështirë.

“Jemi në Llogara, kanë mbërritur edhe qytetarë ndërsa në total janë rreth 200 persona që po punojnë për shuarjen e flakëve. Na ndajnë disa qindra metra nga pishat, ku është dhe rreziku më i madh. Po tentohet të shuhet zjarri nga të gjitha strukturat që ndodhen atje, përfshirë perfektin, Bashkinë e Vlorës.

Problemi në atë pikë është sepse kodra është me pjesë të ndara dhe ka përhapje. Siç u tha në njoftimin e ministrisë, jemi në një pikë kritike për të parkun e Llogarasë. Edhe për helikopterët do të jetë e vështirë, nëse zjarri hy në pyll. Kemi parë disa helikopterë, por ka nevojë për një aksion më të madh ndërhyrjeje helikopterësh për të evituar këtë situatë. Nga ajo që nevojitet në këto momente është ndërhyrja nga ajri.

Në këto momente është helikopteri holandez që po punon, si dhe po pritet ndërhyrja e helikopterëve të tjerë. Ka mbështetje dhe nga disa qytetarë, banorë të zonës që po ndihmojnë për shuarjen e zjarrit. Frika është për pjesën e pyllit, sepse deri më tani fatmirësisht s’ka hyrë në pisha, por nëse hy aty, vështirësia për shuarjen është tepër e madhe”, tha Mehmeti.

 

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb