ELBASAN– Situata e vështirë me zjarret gjatë ditëve të fundit, ka bërë që zv.Ministrja e Punëve të Brendshme, Rovena Voda, të zhvillojë një takim me strukturat përgjegjëse për monitorimin e situatës në prefekturën e Elbasanit. Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të pushtetit vendor, anëtarë të Komisionit të Emergjencave Civile, me qëllim njohjen nga afër të problematikave që ka qarku sa i përket situatës së zjarreve dhe çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me emergjencat.

Zv.ministrja Voda ka shprehur mbështetjen e MPB dhe Qeverisë në situatën e krijuar dhe ka premtuar që shpejt në muajt që pasojnë, do të ndërmerren hapat e nevojshme për të zgjidhur çështjet emergjente.

“Ne kemi ardhur këtu për të treguar mbështetjen tonë dhe sigurisht që pushteti qendror është dhe do të mbetet gjithmonë aleat i pushtetit vendor. Problemi është të gjejmë zgjidhjet bashkë dhe kemi shansin që në shtator, kemi krijimin e një qeverie të re e patjetër që do të kemi një program të ri qeverisës, i cili na jep shpresë që këto ide që kemi, këto problematika që kemi, t’i shtrojmë dhe t’i bëjmë pjesë të një programi të suksesshëm qeverie”, tha Voda.

Zv.ministrja vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet strukturave në gjirin e Komisionit të Emergjencave Civile dhe kërkoi që ky bashkëpunim të vazhdojë pa asnjë ndërprerje në situatë e krijuar për shkak të zjarreve.

Voda theksoi në fjalën e saj nevojën për një koordim më të shpejtë dhe efikas mes strukturave të ndryshme që janë të ngarkuara nga ligji për përballimin e emergjencave të tilla të shkaktuara nga zjarret dhe moti i nxehtë.

“Drejtoria e Emergjencave Civile në MPB dhe strukturat që merren me koordinimin dhe planëzimin e emergjencave, është e gjitha në krye të detyrës, për t’ju ardhur në ndihmë, koordinuar me të dhe gjithë strukturat e tjera, në radhë të parë për të mos pasur dëme në njerëz dhe për të minimizuar dëmet materiale që shkaktojnë këto zjarre.

Mesazhi është i qartë, në vazhdojmë të punojmë 24 orë në 24 për të marrë informacionet që vijnë nga çdo cep i territorit për çdo vatër zjarri që identifikohet nga burimet tona, por sigurisht edhe nga njoftimet tuaja”, u shpreh zv.ministrja Voda.

Voda vlerësoi anagazhimin dhe sakrificat nga struktura të ndryshme të cilat kanë qenë në vijën e parë të përballjes me zjarret.

Në takimin e zhvilluar në Elbasan morën pjesë edhe drejtori i Përgjithshëm Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, drejtori i Përgjithshme i MZSH, Alfred Kristulli, dhe drejtori i Koordinimit me Prefekturat Bekim Murati.

MPB ka planifikuar të zhvillojë gjatë ditëve të ardhshme disa takime pune në qarqet që janë prekur më shumë nga zjarret.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: