GREQI- Pas zjarreve që përfshinë rajonin e Atikës në Athinë, ku deri më tani kanë humbur jetën 83 persona po shuhen shpresat për fatin e të zhdukurve. Përveç dhimbjes për humbjen e të afërmeve të tyre, familjarët e viktimave po hasin vështirësi në gjetjen e tyre. Ata janë rendur drejt morgut në Gudi për të parë nëse familjarët e tyre janë pjesë e viktimave.

Për shumicën e viktimave të zjarreve katastrofike, një test i ADN-së është e vetmja mënyrë që trupat e tyre të mund të identifikohen. Më shumë se 60 vetë, të afërm të personave të zhdukur kanë dhënë mostrat e ADN-së në departamentin e policisë për të marrë vesh nëse të njerëzit e tyre janë mes viktimave në morgun Gudi.

Sipas autoriteteve 75 trupa janë identifikuar dhe procesi pritet të përfundojë gjatë ditës së nesërme, shkruan zougla.gr.

I gjithë Shërbimi Forenzik i Athinës – Piraeus dhe Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Athinës janë përfshirë në proces me ndihmën e shërbimeve të tjera mjeko-ligjore nga Ministria e Drejtësisë për identifikimin e viktimave.

“Është një shkatërrim në masë me shumë trupa të djegur që janë të vështirë për t’u identifikuar. Ne presim identifikimin vetëm përmes ADN-së, tha mjeku, Nikos Kalogrias.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: