Situata e zjarreve vijon të jetë problematike në Karaburun. Gazetari Enrik Mehmeti, raporton për “BalkanWeb”, se sasia e flakëve rrezikojnë dhe Llogaranë, e kjo është dhe shqetësimi i autoriteteve. Sipas tij në operacion janë angazhuar gjithsej 500 forca, përfshirë, ushtrinë, zjarrfikëset dhe vullnetarë.

Ndërhyrjet po bëhen në mënyrë sistematike si nga toka e ajri, por erërat e forta, duket se po favorizojnë flakët. Gjithashtu gazetari tregoi, se vatrat që ishin aktive në fshatrat përreth Vlorës, janë neutralizuar dhe shuar.

“Situata problematike është në Karaburun në afërsi të Dukatit. Rreziku më i madh është i Llogarasë, e cila është një nga pikat më të rëndësishme shqiptare. Sa i përket operacionit janë angazhuar më shumë se 500 forca, ushtrie, zjarrfikëse, po ashtu edhe vullnetarë.

Që prej tre ditësh po vijon ndërhyrje me helikopterë. Ushtria ka numrin më madh të personave të përfshirë. Operacioni po vijon pa ndalim, por rreziku është ende i madh. Ka mundur të evitohen flakët në bazën ushtarake të Pashalimanit, ku gjendet dhe armatime, municione të ushtrisë, ndërsa zjarri po përparon në drejtim të zonës së Llogorasë.

Era po e favorizon zjarrin. Flakët në fshatrat e tjera janë shuar. Ato vatra që janë më të përshkueshme dhe nga mjetet”, tregoi gazetari.

Gazetari ndër të tjera ai tha se Emergjencat Civile  kanë refuzuar kontrollin e KLSH për auditim me përgjigjen se “Drejtori i emergjencave Civile Haki Çako është me pushime deri në datën 9 gusht. Kjo përgjigje i është kthyer institucionit të KLSH duke mos lejuar kontrollin e  dokumentacionit të tenderimeve  për paisjet që lidhen me emergjencat. I pyetur në lidhje me këtë situatë, kreu i KLSH ka konfirmuar se kjo ka qënë përgjigja e institucionit të emergjencave civile se nuk mund të auditojnë në institucion pa u kthyer drejtori i përgjithshëm. Kryetari i KLSH, Arben Shehu i ka bërë  thirrje kreut të emergjencave civile, Haki Çako që të kthehet në detyrë për shuarjen e vatrave të zjarrëve sepse situata është problematike  ,si dhe te mos bllokojë kontrollin në institucionin e tij”. Kontrolli i KLSH u ngrit pas situatës së krijuar në vënd me zjarret ku shumë operacione për shuarjen e tyre , realizoheshin me mjete rrethanore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb