TIRANE- Reparti i Zjarrfikësve të kryeqytetit u solidarizua sot me nismën që ka ndërmarrë “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot efektivët e të cilit zhvilluan një seancë dhurimi gjaku

Meta pasi i falënderoi të gjithë efektivët e Repartit të Zjarrfikësve të bashkisë Tiranë, të cilët me punën e përditshme, përpjekjet e sakrificat sublime, vendosin veten në rrezik për të shpëtuar pronën dhe jetën e qytetarëve, iu shprehu mirënjohje për vullnetarizmin e dëshmuar për bashkimin me kauzën humane të dhurimit të gjakut.

“Gatishmëria juaj për të shpëtuar në çdo moment jetë njerëzish, merr sot një kuptim më të veçantë, me vullnetarizmin fisnik që dëshmuat sot për t’iu bashkuar kauzës jashtëzakonisht humane të dhurimit të gjakut. Profesioni, që ju keni zgjedhur, sa i vështirë po aq human e fisnik, ka në themel shpëtimin nga rreziku i zjarreve të pronës, por mbi të gjitha shpëtimin e jetës së njerëzve. Së bashku me policinë dhe urgjencën mjekësore jeni tre shërbimet kryesore në situata emergjence.

Profesioni juaj kërkon pasion, dedikim dhe veçanërisht komunikim në situata të vështira për qytetarët. Kërkon të punosh në skuadër, sepse në punën tuaj, çdonjëri prej jush është një hallkë e rëndësishme, që, nëse nuk funksionon siç duhet, e gjithë skuadra vuan. Ashtu siç kërkon tolerancë dhe sakrifica, sepse qëllimi juaj kryesor është t’i shërbeni dhe të mbroni komunitetin. Jam i bindur që ju i mishëroni në mënyrën më të mirë të gjitha karakteristikat e mësipërme. Dhe këtë e tregoni jo vetëm me punën tuaj të përditëshme, përpjekjet e sakrificat tuaja sublime për të shpëtuar jetë njerëzish, por edhe me aktin e sotëm të dhurimit të gjakut”, nënvizoi Presidenti Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb