…Dhe telashet për familjen Trimi në Lushnjë nuk kanë të sosur. Javën e fundit mediat u përqendruan te familja e Niko Trimit, i cili u dhunua nga e shoqja, por më pas ata u pajtuan publikisht. Halli iu rikthye sërish familjes me zjarrin që ra papritur në banesën e tyre, në Stan të Lushnjës, por që në fakt zbuloi një tjetër fatkeqësi.

Gazeta Panorama shkruan se pas përfshirjes nga flakët të shtëpisë, 5 fëmijë janë në qiell të hapur. Janë fëmijët e vëllait të Niko Trimit, Yllit, i cili është në burg, ndërsa e shoqja u largua, duke i braktisur fëmijët. Deri në ditën kur ra zjarri, Trimi kujdesej për fëmijët e vet dhe të vëllait, por sot ata kanë mbetur në mëshirë të fatit.

APELI

Shtëpia ku jetonin fëmijët e vëllait të Nikos nuk ka më as çati, as dyer e as dritare. Aneta, motra e Nikos, njëkohësisht halla e fëmijëve, tregon se nipërit e saj, të cilët janë pa prindër, pasi babanë e kanë në burg dhe nëna i ka braktisur, janë në qiell të hapur dhe pa asnjë përkrahje.

“Ja, siç e shikoni, çdo gjë ka rënë përtokë. Shtëpia u dogj e gjitha. Ne nuk kemi mundësi t’i mbajmë fëmijët e vëllait. Ata janë pesë. Unë kam tre fëmijë për vete. Kanë mbetur në qiell të hapur. Askush nuk ka që t’i ndihmojë. Babai i tyre ka tre vjet që dergjet burgjeve e nëna ka një vit që i ka lënë. Na ndihmoni nëse mundeni. Ne duam vetëm të mbulohet kjo shtëpia e t’i çohen dyer e dritare. Të tjerat do bëjmë si do bëjmë. Do lypim nëpër shoqata që të na ndihmojnë”, apelon Aneta.

Ndërkohë edhe bashkëshorti i saj, Edmond Xhafa, tregon se natën që ra zjarri Nikoja së bashku me të shoqen bënë çfarë ishte e mundur që të shpëtonin fëmijët, ndryshe do të kishte ndodhur një tragjedi. “Fat për fëmijët ishte që e kanë xhaxhanë ngjitur me ta, një kat më poshtë. Ai i ndjeu flakët dhe alarmoi njerëzit. U shpëtuan vetëm fëmijët. Asgjë tjetër nuk u arrit të shpëtohej. Edhe pse mbërritën zjarrfikëset, ishte e pamundur që të shuheshin flakët. Tani këta fëmijë kanë mbetur si jetimë. Erdhën nga bashkia këtu e panë gjendjen, por deri tani askush nuk merr përsipër rregullimin e shtëpisë. Duam ndihmë për këta fëmijë”, ka thënë ai.

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: