Mbrëmjen e sotme, emisioni “Në Shënjestër” me gazetaren Klodiana Lalën, është ndalur tek kushtet e dhomave të sigurisë në Komisariatet në vend, pas ngjarjes së rëndë të 26 marsit, ku pas rënies së zjarrit në Komisariatin e Kamzës, humbi jetën Arben Mici, 28 vjeç.

I ftuar në studio, ish-drejtori i Policisë Shemsi Prençi, u shpreh se dhomat e sigurisë në komisariate kanë disa protokolle që duhen respektuar, ndërsa në rastin e tragjedisë, nuk janë respektuar.

87878457
“Personat e shoqëruar nuk mund të mbahen në të njëjtën dhomë me atë që është i arrestuar, me masë sigurie. Duhet të kalojë në protokoll të imtësishëm, hartohet një procesverbal, në këtë rast është shkelur me të katër këmbët ky protokoll”, u shpreh ai.

Më tej deklaroi se kur një person është i arrestuar, ka precedent të mëparshëm apo ka një vendim gjykate, nuk mund të mbahet në dhomën e izolimit në komisariat, bashkë me një person që mund të jetë i shoqëruar, por pa asnjë rrezikshmëri.

“Kur personi është person me precedent të përsëritur për dhunë, ishte me vendim gjykate, ky person nuk duhet të shkonte, aty por në paraburgim, dhe nëse për 1 mijë arsye nuk mund të transportohej, ai në çdo moment duhet të ishte në vëzhgim të policisë. Fati që përkonte me orar që janë të impenjuar shumë persona për të parë ndeshje, në rregullore thuhet se kur ka evente të ndryshme, personat e ndaluar e shfrytëzojnë këtë moment dhe sipas rregullores në këtë rast duhet rritur vëmendja. Aty i doli tymi, por kudo në Shqipëri shkelen masat”, deklaroi Prençi.

Nga ana tjetër, avokati Adriatik Lapaj u shpreh se kushtet e dhomave të sigurisë në Komisatriatet e vendit janë në gjendje shumë të rëndë, ku përveçse mbahen persona me rrezikshmëri bashkë me persona që mund te jenë të shoqëruar edhe për mungesë të një letërnjoftimi, tejkalohet kapaciteti i personave në të si dhe kushtet higjienike mungojnë.

87878787
“Ndodh rutinë kjo fatkeqësisht, kur gjykata është shprehur duhet të shoqërohet në paraburgim. Aty në përditshmërinë e punës, nuk shkelen vetëm të drejtat e qytetarëve që shoqërohen, por edhe të vetë punonjësve, rri 8 orë pa ajrim, dhomat e sigurisë nuk kanë higjienë, lemeri, i fusin si konserva 12 veta në një dhomë, bëjnë nevojat personale aty, dhe më vjen keq se një qytetar i zakonshëm rri aty deri në 10 orë, e mbajnë në kundërshtim me ligjin, imagjino një punonjës që çdo ditë 8 orë rri në atë ambient?! 28-vjeçari duhej të ishte në paraburgim jo në dhomë izolimi në komisariat. Për personat e shoqëruar, nuk mund ti fusësh në atë dhomë sepse rrezikshmëria nuk është e njëjtë. Shqetësimet e të ndaluarve e të shoqëruarve janë lidhur me standardin e ambienteve, ky është faj i sistemit dhe jo i punonjësve, për cilësinë e sjelljes nuk më rezulton që në pjesën më të madhe të jetë negative e policëve, por ka vend për përmirësim”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb