NGA: DORJANA BEZAT
TIRANE- Pas zjarrit që përfshiu ashensorin e një pallati në zonën e “Freskut” ku mbeti e pajetë 29-vjeçarja Drilona Duriçi, policia ka nisur hetimet për ngjarjen. Policia ka verifikuar dokumentacionin e pallatit, pronarët e objektit dhe firmën e ashensorit në të cilin ndodhi ngjarja.

Pronari i pallatit, i cili mori flakë paraditen e së premtes nuk jeton më. Sipas informacioneve të mbledhura nga policia ky pallat rezulton të mos ketë një administrator pallati të zgjedhur.
Paraditen e së shtunës Policia e Tiranës shoqëroi personin, i cili mirëmbante ashensorin, ndërsa nuk dihet identiteti i tij. Para uniformave blu ai ka dëshmuar se garancia e ashensorit kishte mbaruar prej muajsh dhe se ai ka pasur detyrim ta mirëmbajë vetëm brenda garancisë.

“Pavarësisht se garancia kishte mbaruar, unë shkoja e mirëmbaja ashensorin kundrejt një pagese që banorët bënin për këtë shërbim. Prej muajsh ata nuk kanë paguar më dhe unë nuk kam shkuar që ta mirëmbaj. Për atë që ndodhi të premte në atë ashensor unë nuk di çfarë të them pasi kam shumë kohë që nuk kam shkuar për të parë gjendjen e ashensorit. Ne bëjmë kontrolle periodike vetëm në ashensorët të cilët janë brenda garancisë”, mësohet të ketë thënë ai në polici.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb