Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe në një dalje për shtyp, pas tragjedisë së djeshme në spitalin Covid-19 në Tetovë, tha se gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme është folur për dorëheqjen e tij, por ai nuk do të jap dorëheqje deri sa të mbarojë hetimi.

“Sot në shumë media kishte thirrje për dorëheqjen time, më lejoni që të them se nga përgjegjësia as kam ikur e as do të iki, por do të pres që të përfundojë hetimi. Për shkak se edhe në këtë periudhë ka nevojë për menaxhimin e një pjese të krizës, posaçërisht për pacientët e Tetovës, lidhur me atë që ndërlidhet me autopsinë. Dhe pas mbarimit të hetimit do ta sjell këtë vendim nëse do të jap dorëheqje. Është e vështirë të përshkruhet me fjalë barra dhe dhimbja që ndiej, bashkëndiej dhimbjen me familjarët e viktimave, por megjithatë do të pres përfundimin e hetimeve”,- tha Filipçe.

Filipçe tha se spitalet modulare në të gjitha qytetet janë të sigurta dhe se të gjitha materialet që janë instaluar në këto spitale janë të certifikuara dhe të testuara. Sipas ministrit janë kryer të gjitha kontrollet e duhura para lëshimit në funksion edhe të spitalit modular të Tetovës që mori flakë dje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb