TIRANË

Vijojnë ende kërkimet për gjetjen e 33-vjeçarit Arjan Sala, i cili shpëtoi të gjithë punonjësit nga zjarri që përfshiu magazinën e një qendre tregtare në Tiranë, ndërsa nuk mundi dot të dilte vetë.

Ndonëse prej dy ditësh vijojnë kërkimet nga zjarrfikësit e kryeqytetit, të Rinasit, të Kamëz dhe të ushtrisë, ende nuk ka asnjë gjurmë nga shefi i sigurisë së kësaj godine.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se këtë mbrëmje, ekipi i shpëtimit iu ka thënë familjarëve të 33-vjeçarit të zhdukur se do të kërkojnë brenda magazinës me duar nëpër mbetjet e djegura, dhe për këtë arsye, kanë kërkuar që të futet brenda edhe një prej familjarëve, që të shohë nëse ka ndonjë gjë identifikuese, që të mund të identifikojë të zhdukurin.

Por, pas disa kërkimeve pa rezultat, punonjësit zjarrfikës kanë dalë të gjithë jashtë, ndërsa i afërmi i 33-vjeçarit nuk ka pranuar të dalë, duke qëndruar brenda magazinës për më shumë se një ore.

Por, më pas ai ka dalë, duke paralajmëruar se do të futet sërish për të kërkuar për familjarin e tij të zhdukur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb