TIRANE

Policia ende nuk ka nje version te saktë mbi zjarrin që përfshiu pasditen e së enjtes zonën pas kullës së sahatit të tiranës. Flakët përfshinë godina një katëshe, të cilat prej disa ditësh janë rrethuar me mure metalikë.

Pikëpyetjet ngrihet rreth faktit sesi mund të përfshihej nga flakët një objekt ku nuk ushtrohej asnjë lloj aktiviteti. Por edhe për një arsye tjetër më të rëndësishme. Pikërisht në këtë vend është parashikuar të ndërtohet një godinë 77 metra e larta, gati sa përmasat e tymit të së enjtes pasdite.

Por ngjarja ka nxjerr në pah dhe një konflikt pronësie midis pronarëve të kafes së famshme të Tiranës, ‘Bar Sahatit’, disa personave që zotërojnë pronësinë e truallit dhe Bashkisë së Tiranës e cila është futur në këtë konflikt në mënyrë të çuditshme. Pronarët e Bar Sahatit, Dashnor dhe Flutura Doçi thonë për News24 se lokalin e famshëm e kanë privatizuar në vitin 1991 dhe në vitin 1995 kanë blerë truallin nga Bashkia e Tiranës. Ata thonë se deri në vitin 2018 kanë punuar normalisht, derisa hipoteka i ka lajmëruar se prona e tyre ka mbivendosje.

Sot inspektoriati i Mjedisit dhe Territorit në Bashkinë e Tiranës ka shkuar për t’i prishur objektin pa një urdhër prishjeje dhe pa lajmërim me arsyetimin se aty është dhënë leje zhvillimore.

Sahati i Tiranës ishte monument kulture i kategorisë së parë i miratuar në vitin 1948 dhe zona përreth ishte zonë Muzeale dhe në këtë mënyrë ishte e pamundur që të ndërhyhej për të ndërtuar. Por në vitin 2018, Bashkia e Tiranës dhe Këshilli i Rregullimit të Territorit më procedura të përshpejtuara ia kanë hequr këtë status. Ndërtimin e një godine rezidenciale në këtë zonë e paralajmëroi para disa ditësh dhe Partia Demokratike. Selia blu tha se leja është dhënë për klientë të Edi Ramës të cilët do të pastrojnë parate e fituara nga biznesi i bixhozit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb