TIRANE- Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura me mbështetjen e PNUD-it ditën e djeshme mbajti dëgjesën publike me donatorët mbi draft-ligjin e zonave të mbrojtura. Kjo është dëgjesa e fundit mbi këtë draft, ndërkohë që sipas kreut të AKZM, Zamir Dedej, miratimi i tij në parlament pritet të bëhet brenda muajit dhjetor. Synimi i këtij drafti është rritja e masave për një mirëmenaxhim të këtyre zonave si dhe rritja e sipërfaqes së mbrojtur.

Sipas draftit të ri, do të kemi 7 kategori të zonave të mbrojtura, të cilat janë: rezervë strikte natyrore/rezervat shkencor (Kategoria I), park kombëtar (Kategoria II), monument natyror (Kategoria III), rezervat natyror i menaxhuar/park natyror (Kategoria IV), park natyror bashkiak (Kategoria IV), dh) peizazh i mbrojtur (Kategoria V). Një pikë tjetër, e cila është ashpërsuar janë edhe vlerat e gjobave, ku vlera minimale për dëmtimet që bëhen në këto zona është 50 mijë lekë, ndërsa vlera maksimale është 2 milionë lekë.

PROJEKTLIGJI

Drejtori i AKZM-së, Zamir Dedej deklaroi se: “Projektligji i ri ka për qëllim përmirësimin e kornizës aktuale ligjore për ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura, duke sjellë disa risi, të cilat vijnë si rrjedhojë e nevojave për zgjidhje të veprimtarive që ushtrohen dhe kërkohet të zhvillohen në zonat e mbrojtura. Në këtë projektligj, për shkelësit e ligjit janë shtuar vlerat e masave administrative, gjobat”.

Sipas Dedej, në zbatim të ligjit, i cili është aktualisht në fuqi, miratuar në vitin 2002, u rritën sipërfaqet e zona e të mbrojtura nga 5% në 16%, ndërsa ligji i ri përveçse do të orientojë rritjen e sipërfaqeve të zonave të mbrojtura, do të forcojë edhe menaxhimin e tyre, duke synuar zhvillimin e turizmit në këto zona, zhvillimin social dhe atë ekonomik drejt përmbushjes së parimit të zhvillimit të qëndrueshëm.

Drafti i ri mbështetet në tërësinë e tij në parimin e zhvillimit të qëndrueshëm, të integrimit, në parimin “ndotësi paguan”, në atë të parandalimit dhe marrjes së masave paraprake. Përfaqësuesit e organizmave të huaja në Shqipëri, të cilët zhvillojnë projekte në zonat e mbrojtura si: PNUD-i, GIZ-i, USAID, IUCN, Natura2000, WWF, Banka Botërore, Delegacioni i BE-së, ambasada çeke e vlerësuan këtë draft, duke theksuar se një menaxhim i ri i zonave të mbrojtura kërkon një ligj të ri, ndërkohë bënë edhe sugjerimet përkatëse.

KUNDRAVAJTJET
Sipas projektligjit të ri, kur shkeljet e këtij ligji përbëjnë vepër penale, drejtori i AKZM, ADZM-të e qarqeve dhe Inspektorati i Policisë Pyjore bëjnë kallëzim për ndjekje penale ndaj personave përgjegjës për shkeljen. Kur shkeljet nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative si më poshtë: Ndotja dhe dëmtimi i zonës së mbrojtur nga shkarkimet mbi normë të veprimtarive që zhvillohen jashtë zonës, por në afërsi të saj, subjekti dënohet me gjobë nga 100.000 deri në 300.000 lekë. Zhvillimi në zonë i veprimtarive që nuk janë pajisur me leje mjedisi, subjekti dënohet me gjobë nga 1 deri në 2 milionë lekë.

Mospërmbushja dhe mosrespektimi i kërkesave, parimeve dhe kushteve të lejes përkatëse të mjedisit sipas parashikimeve të këtij ligji, subjekti dënohet me gjobë nga 500.000 deri në 1 milion lekë. Dëmtimi i zonave të mbrojtura nga pronarët e pasurive private që ndodhen brenda zonës, subjekti dënohet me gjobë nga 50.000 deri në 80.000 lekë. Dëmtimi i zonave të mbrojtura nga përdoruesit e zonës, duke përfshirë edhe vullnetarët, subjekti dënohet me gjobë nga 50.000 deri në 80.000 mijë lekë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb