Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska i bëri thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së António Guterres që të lehtësojë lirimin e grave dhe mjekëve ukrainas nga robëria ruse pasi nuk janë luftëtarë sipas Konventave të Gjenevës.

“Unë i kërkova gjithashtu Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së që të lehtësojë lirimin e grave dhe mjekëve ukrainas nga robëria ruse pasi ato nuk janë luftëtarë sipas Konventave të Gjenevës. Ka gra shtatzëna dhe nëna të foshnjave të vogla në mesin e robërve,” postoi Zelenska në Telegram.

Sipas saj, zëri i OKB-së dëgjohet në të gjitha vendet, madje edhe në Federatën Ruse. “Ne kemi nevojë për mbështetjen e gjithë botës për t’i çliruar ata. Besoj se do ta arrijmë dhe do t’i kthejmë gratë tona heroike ukrainase në familjet dhe atdheun e tyre,” tha Zonja e Parë.

Ajo falënderoi Guterres për përpjekjet e tij personale për të mbështetur Ukrainën. “Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me organe të ndryshme të OKB-së si UNICEF, UNPFA, UN Women dhe gjithashtu bashkëpunojmë në mënyrë aktive me Pramila Patten, Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Dhunën Seksuale në Konflikt. Qëllimi ynë është të sjellim të gjithë ata që janë fajtorë të krimeve para drejtësisë”, theksoi Zonja e Parë e Ukrainës.

Zelenska gjithashtu vuri në dukje se Guterres tashmë e kishte vizituar Ukrainën dy herë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë. Gjatë vizitës së tij të parë në prill, rusët nisën një sulm me raketa në Kiev.

OKB-ja u krijua pas luftës së tmerrshme botërore pikërisht për të parandaluar armiqësitë, por sesioni i 77-të i Asamblesë së Përgjithshme hapet në sfondin e luftës së agresionit të nisur nga Rusia në Ukrainë. “Aktivitetet e OKB-së tani janë më të nevojshme se kurrë. Në fund të fundit, tani Organizata duhet të provojë veten si një arbitër botëror,” shtoi gruaja e Presidentit.

Siç raportohet, kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal dhe Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska u takuan me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së António Guterres dhe diskutuan zbatimin e programeve humanitare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb