Ironi, debate, akuza dhe kundër akuza. Kështu po vijohet që prej orës 12:00 në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, ku është thirrur si dëshmitar, kryeministri Edi Rama. Ky i fundit si për ironi i ngatërroi mbiemrin drejtueses se komisionit, Jorida Tabaku, duke iu drejtuar “zonja Topalli”.

Ndërkohë, e shpejtë ishte kundërpërgjigja e Tabakut, e cila duke i kthyer ironinë Ramës, bëri me dashje një lapsus, duke e quajtur kryeministrin zoti Koka, (ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili ndodhet në burg për korrupsion).

Edi Rama: Zonja Topalli, boh, më falni, Zonja Tabaku!
(i bie ballit me dorë, dhe padashur e bën ballin pis)

Jorida Tabaku: Zoti Koka, më falni zoti dëshmitar, se z. Koka nuk është këtu.
Një moment i veçante gjatë debatit ishte dhe fakti se kreu i qeverisë u bë pis me bojën e stilolapsit në ballë.

“Më thonë që kam një yll në ballë! E hoqa?”, tha Rama teksa ka fërkuar ballin disa herë deri sa hoqi “njollën”. Ndërsa, Tabaku iu përgjigj, “Iu hoq ylli në ballë, ok vazhdojmë mbledhjen”.

“Kam një yll në ballë”! Batuta e përplasje në komision, Rama-Tabakut: Hodha Tahirin? Po ti hodhe Sali Berishën, që të ngriti! Nuk iki nga këtu, pa dalë 430-milionëshi

Vijojnë debatet, ironitë dhe përplasjet në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, ku për të dëshmuar për aferën e inceneratorëve është kryeministri Edi Rama

Teksa kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, e ka pyetur Ramën për Tahirin dhe ministrat e tjerë, duke i thënë se po i hedh të tijët poshtë, kur thotë se “përgjegjësia është individuale”, me të njëjtën gjuhë i është përgjigjur edhe kryeministri, i cili i tha se edhe Tabaku e hodhi poshtë atë që e ngriti, pra Sali Berishën.

Pjesë nga debati:
Rama: Edhe për Saimir Tahirin ta them hapur prapë, jam shumë krenar në punën që kam bërë me të dhe punën që ai ka bërë me punë, nuk hyjnë fare akuzat. Përgjegjësia është individuale që ç’ke me atë punë.
Tabaku: Po i hedh të gjithë.

Rama: Ca do me thënë me këtë ti? Po ti e hodhe ‘Kreshnikun e madh’ edhe nuk po të thotë njeri. Gjithë atë kreshnik, Sali Berishën, e hodhe dhe nuk po të thotë njeri që e hodhe. Hodhe Sali Berishën që të ngriti. Unë jam i kënaqur që e hodhe, se unë e kam kuptuar çfarë është, kur ju se dinit.
Tabaku: Të flasim për temën. I tërhoqa vëmendjen dhe znj. Cupi.
Rama: Tani do rrimë gjatë këtu se do nxjerrim lekët. 430 milionë euro o do sqarohen këtu, ose nuk ikim. Dua t’iu them që mos hyni në këto gjëra, është shumë e dhimbshme realisht kur një bashkëpunëtor bën pas krahëve çfarëdo qoftë që nuk hyn në detyrimet ligjore, por kjo është. Ne ecim përpara bëjmë punët, impiantet janë atje, plehrat janë pastruar, ndërkohë që ju kemi dhe juve që na keni dalë përpara, do ju begenisim.
Tabaku: A jeni bërë ndonjëherë kuriozë të pyesni për shqetësimet që kemi ngritur ne për inceneratorët?
Rama: Znj. Tabaku ja kam bërë këtë pyetje vetes fillimisht dhe posaçërisht kur ju dëgjova juve personalisht, por pastaj pashë që ju si forcë, kjo partia që ka selinë bashkë me këtë tjetrën…
Tabaku: Kjo nuk është objekt i këtij komisioni.
Rama: Ju keni zgjedhur analfabetizmin politik për qëllime politike dhe jeni gati t’i mbushni mendjen vetes suaj. Unë jam interesuar për këto 430 milionë euro dhe nuk më dalin askund.
Tabaku: Do dalim dhe aty. Askush nuk e di ku kanë shkuar paratë që janë paguar, ndërkohë që dy personat në kërkim vazhdojnë e paguhen. Ka pasur neglizhencë totale në zbatimin e kontratës, ku askush nuk kontrollon buxhetin e shtetit.
Rama: Znj. Tabaku, më fal, por më thonë që kam një shenjë në ballë.
Tabaku: Keni një yll në ballë.
Rama: Nëse nuk ju shqetëson, unë e mbaj.
Tabaku: Iku ylli në ballë, që të vazhdojmë? Kalojmë sërish te kontratat…
Rama: Jam vënë në dispozitë të vështirë, sepse nuk është e lehtë të dalësh para deputetëve, sepse dihet që deputetët shajnë. Tani, nëse lekët nuk kanë shkuar aty ku duhet, si është pastruar Fieri, Elbasani, Tirana? Këto vepra që janë aty si u ndërtuan, nga erdhën, apo s’janë aty, se mund të thoni dhe kështu. Ne kemi ardhur në një pikë, në këtë politikën tonë të këtij perimetri të vogël nga Sheshi Nënë Tereza aty afër Bankës së Shqipërisë, deri te SHQUP, plus këta që janë te Lana, që nuk po kuptohemi as për gjërat më bazike. Nuk do çuditesha më, edhe nëse do vinit me mua tek impianti i Fierit, e të thonit se nuk është këtu. Unë e lidh këtë me një raport që keni me plehrat.
Tabaku: Ka një vit e gjysmë që thuhet se Inceneratori i Fierit do të kolaudohet këto ditë. SPAK ka ngritur akuzë për 4 milionë euro, që nuk kanë shkuar tek inceneratori i Elbasanit…
Rama: Po bëja llogarinë, se unë e kam fiksimin te 430-a.

Zoto, Mërtiri e Gugallja, investim në Zimbabve me lekët e Shqipërisë?! Rama: E guximshme kjo, si dëshmitar ju them se…

Gjatë dëshmisë në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, kryeministri Edi Rama u pyet edhe për tre personat e shpallur në kërkim për këtë aferë, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja.

Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, e pyeti kryeministrin nëse ka dijeni që këta persona po ngrenë të njëjtën skemë korruptive edhe në Zimbabve, me lekët që kanë vjedhur nga shteti shqiptar, por Rama tha se nuk dinte gjë dhe se do të merrte informacion, pasi e cilësoi një “fantazi të guximshme” një deklaratë të tillë.

Pjesë nga debatet:
Tabaku: A jeni në dijeni të faktit se po përdoret në Zimbabve nga të njëjtat persona?
Rama: Nuk e di çfarë suksesi kanë arritur ata në Zimbabve, unë jam lidhur me Ruhanda, sepse ka pasur sukses në ndalimin e plastikës.
Tabaku: Nëse nuk ke dijeni…
Rama: Më lër të jap përgjigje. Çdo pyetjeje që do i vësh nuancë, do marrësh përgjigje me nuancë. Më lër të mbaroj. Me Ruandën kemi një bashkëpunim të natyrës së marrjes së mendjes, se si e kanë realizuar ata heqjen e plastikës. Për Zimbabve nuk jam në dijeni, por do e shoh. Do krijojmë shumë lidhje dhe me Afrikën.
Tabaku: Pyetja lidhe me fonde pulitke që janë përdorur nga tre pronarët e inceneratorëve dhe janë investuar në Zimbabve. A kanë ngritur ata të njëjtën skenë në Zimbabve, siç e kanë bërë në Shqipëri, dhe po investojnë atje me fonde që i kanë këtu nga kontrata publike.
Rama: Kjo është shumë interesante. Nga e nxirrni ju këtë. Shteti shqiptar paska financuar në Zimbabve? Më tregoni një dokument. Ky është një opinion shumë guximtar, në aspektin e fantazisë, por nuk e di ku është lidhja. Nuk kam dijeni për këtë, do ta shoh me shumë interes.

Tabaku: Gjatë analizës së fakteve e provave që ka mbledhur komisioni, të tre kompanitë e inceneratorëve, ka rezultuar se ata nuk kanë pasur kapitalin për të investuar këto projekte. A ju kanë informuar vartësit tuaj për këtë?
Rama: Znj. Tabaku unë kam informim të ndryshëm, por për shkak të detyrës jam shumë i disiplinuar në mësimin e gjërave për të cilat flas. Nuk flas për gjëra që nuk i di, përgatitem shumë mirë kur duhet të flas. Kam dëgjuar hera herës këtë punën e kapitaleve, madje së fundi kam dëgjuar që edhe kompania që ka marrë përsipër Portin e Durrësit nuk ka lekë, dhe kam mësuar që këto janë të gjitha interpretime, që i bëjnë të qeshin njerëzit e kapitaleve. Kjo është në parim. Sa i përket konkretisht, jo nuk më kanë vënë në dijeni për këtë. Dhe besoj se ky është një interpretim, një lexim i juaji i ekonomisë. Unë kur merrem me projekte, nuk merrem me këto pjesë, unë dua punën në terren, dua që gjëja të bëhet.
Tabaku: Pse nuk i zhvilluan si prokurime këto projekte?
Rama: Kryeministri nuk merret me prokurime, s’janë fare punët e mia.
Bushati: Lepuri fle te lekët.
Rama: Te lepuri? Po, aty, te lepuri që i keni futur në bark njerëzve. Dhe një gjë për ta pasur
parasysh, 100 milionëshi juaj nuk figuron, nuk del llogaria.
Tabaku: Do arrijmë.
Rama: Shpresoj.
Tabaku: Çfarë ju bindi që Zoto, Mërtiri i Gugallja ishin tre personat që mund të zbatonin këto projekte?
Rama: E para, kryeministrit nuk i ka ardhur fare në tavolinë asnjë projekt i tillë, se nuk ka pse t’i vijë. E përsëris që pyetjet janë ndërtuar, pavarësisht çfarë them unë. Unë po them që këto janë procese të ndara. Se çfarë i bindi e çfarë mendoj unë se i ka bindur ata, është pak e vështirë ta them, por unë mendoj se ata kanë të drejtë, ju keni gabim, kaq.
Tabaku: Pse nuk e zhvilloi vetë shteti shqiptar këtë projekt, pse u zgjodhën tre kompani pa eksperiencë?
Rama: Ju jeni në të drejtën tuaj të bëni pyetje, që ma ha mendja se nuk tingëllojnë mirë as në publik, se duken si absurde, por unë e kam përgjigjen në majë të gjuhës. Nuk kam asnjë opinion për këtë, se e kam në majë të hundës përgjigjen, por po përgjigjem si dëshmitar. Nuk dua t’ua jap përgjigjen, se keni qenë në Bashkinë e Tiranës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb