Në tetë mars të vitit 1989, në shkallët e RTSH, vetëm 20 metra larg rreshtit të parë të policëve, që kishin blinduar Qemal Stafën para ndeshjes me Anglinë, kisha një dilemë, të fortë dhe të parën në jetën time as 16 vjeçare. Gjithmonë kisha patur akses në evenimentet e pakta ndërkombëtare sportive, por atë drekë të ftohtë marsi, nuk ishte ky rasti. Anglia nuk ishte një ekip i zakontë. Me Mbretërinë e Bashkuar Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike, por çuditërisht ndryshe nga ekipet sovjetike, me ato britanike kishim luajtur gjithmonë. 17 nëntori kishte eleminuar Linfield-in e Irlandës së Veriut në 1983, Shqipëria kishte barazuar me Irlandën e Veriut disa herë, Tirana kishte barazuar me Rangers të Glasgout, po kështu edhe Dinamo, por kurrë rrugët tona nuk ishin kryqëzuar me Anglinë. Viti 1989 nuk ishte një vit i zakonshëm. Shqipërisë po i shqyhej pjesa e saj e Perdes së Hekurt. Pak muaj më vonë në të njëjtin stadium Al Bano dhe Romina tërbuan shqiptarët dhe u injektuan Lirinë, duke nxjerrë për herë të parë rrugëve, blinda të reja të policisë. Regjimit vetëm një ndeshje me Anglinë nuk i duhej atë vit. Por Anglia e Bobby Robson erdhi një ditë më herët më 7 mars, duke tronditur kryeqytetin. Gascoigne nuk i rezistoi interesit dhe doli para 15 katëshit duke bërë fotografi me njerëz të rrugës. Mes tyre me siguri dhe Gëzim Kullufi, banor i pashpallur i 15 katëshit, me të cilin Gascoigne ndante sensin e natyrshëm të gaztorit të pashpallur, të lypësit entuziast të vëmendjes, të protagonistit spontan. Por ishte dhe Anglia e Gary Lineker – i cili ndërkohë kishte ardhur dy herë në pak vite, si lojtar i Barcelonës, por në Vlorë e jo Tiranë. Ishte Anglia e John Barnes, të parit zezak që çante në kombëtaren e tre luanëve dhe të shumë paragjykimeve, përfshirë dhe racizmin. Por pak kujtojnë se në radhët e saj ishte dhe një farë Bull, një sulmues me fizik mundësi, i cili në fakt kishte thyer një rekord: ishte thirrur në Kombëtare, megjithëse luante në Second League. Por ky ishte vendimi i Bobby Robson dhe Robson ishte Sir Bobby. Askush nuk e sfidonte dot.

Por kjo ishte vetëm gjysma e dilemës. Gjysma tjetër ishte më e fortë; përpara syve të mi, një tifoz Shkodran me valëviste 500 lekëshen e kuqe flakë, për biletën time 30 lekëshe të Njëzetëshes. Im atë ma kishte blerë, pasi ishte e pamundur të më fuste në atë ndeshje. S’di si shkodrani ma kishte parë atë copë letre me tis kaf në dorën time, të shtrënguar fort nga frika e mos humbjes. Por ai këmbënguli aq shumë, e rriti çmimin aq lart, saqë kur tundi 500 lekëshen e kuqe, ula kokën dhe shkëmbyem vlerat që kishim në dorë, secili me besimin se kishte marrë më shumë sesa kishte dhënë. Por në pak minuta e kuptova pse shkodranit i kishin shdritur sytë nga lotët: ai kishte blerë një copë lirie. Unë e kisha dhënë dhe s’kisha lënë asgjë për veten, veç 500 lekëve, që nuk mbushën dot varfërinë e vjetër të xhepave të mi. As ndeshjen nuk e pashë. Kur mbërrita këmbëzvarrë në shtëpinë time tek ‘Mine Peza’, gjithçka kishte mbaruar. Barns në minutën 15 dhe Brian Robson – nipi i trainerit – kishte blinduar rezultatin në minutën 63.

Whatsapp Image 2021 03 29 At 12.12.45 Pm 1 1024x458
Whatsapp Image 2021 03 29 At 12.12.45 Pm 1 1024×458

Që nga ai 8 mars, më ka ndjekur një “mallkim”.  Më duket sikur kam bërë një mëkat të madh dhe prej 36 vjetësh jam vënë në një garë për të kapur të shkuarën, një garë që sigurisht nuk e kam fituar kurrë. Dhe fajin e ka Anglia. Në ndeshjen e kthimit, në Uembli, një ndeshje që u transmetua nga radio Tirana, por nuk u dha nga TVSH, mospasja e imazheve shtoi dozat e heroizmit. Në portë mungonte Musta, nuk di pse, por edhe Mersini. Mes shtyllave përfundoi Blendi Nallbani, vetëm 17 vjeç, i cili thonë bëri heroizma, megjithëse ndeshja përfundoi 5 me 0 për Ushtarët e Shën Gjergjit (shenjti të cilit i fallen anglezët. Kryqi i kuq i të cilit është simboli i flamurit anglez dhe elementi kryesor i Union Jack, flamurit të përbashkët Britanik, ose simbolit ndoshta më të njohur në botë.)

Nallbani sigurisht kishte bërë disa pritje interesante, por sensin e ndeshjes ma dha Skënder Hodja, qendërmbrojtësi i 17 nëntorit dhe i Kombëtares në atë ndeshje. Rastësisht në një vizitë në shtëpinë time, unë i bëra atij ndoshta pyetjen time të parë të profesionit tim të ardhshëm: “Si ishte të luaje në Uembli?”

U kthye dhe më pa në sy. Ndoshta nuk priste një 16 vjeçar t’i bënte një pyetje, që nuk lidhej me Londrën, me xhinset apo Koka Kolën. Ndaj ndoshta zgjodhi të më thoshte të vërtetën: “Fusha na dukej e rrumbullakët. Nuk e kuptonim ku ta hidhnim topin. Na sulmonin nga të gjitha anët. Nallbani? Hero se ndoshta ishte i vetmi që nuk shihte prapa dhe nuk i merreshin mendtë”. Lineker dhe Beardsley (gungaçi i Liverpool), Chriss Waddle dhe Paul Gascoigne shënuan tragjedinë e Uemblit, por në instagramin e FSHF, pashë dje mrekullinë e panjohur, golin e Sul Demollarit, që për Shilton duhet të jetë goli i tretë më i hidhur në karrierë, pas dy golave të Maradonës në 16-en e Botërorit Meksikë 1986. Një gol i anuluar për një pozicion jashtë loje, të një lojtari tonë brenda zonës së rreptësisë, ndërkohë që Sula e ekzekuton mrekullinë e tij në një diagonale mbi 22 metra. Kjo ishte në fakt mrekullia e Uemblit dhe Sula heroi i vërtetë. Pasi kombet e vogla nuk i mundin dot të mëdhenjtë. Vetëm mund t’i sfidojnë ato.

E mendoja këtë ndërsa i hipja avionit nga Londra, përmes Athinës, për të mbërritur në Tiranë në 23 mars 2001, për të parë pak ditë më vonë, ndeshjen e tretë mes Shqipërisë dhe Anglisë. Dy të parat nuk mi la t’i shihja Enver Hoxha dhe Blloku i tij. (Si pa dashje harroja që për të parën, “faji” ishte i 500 lekëshit të shkodranit, që dhe sot pas 32 vjetësh më ngjan me ngjyrën e kuqe të ferrit dhe të mos faljes së vetes për atë mëkat). Por nuk do humbisja për asgjë ndeshjen e 28 marsit 2001 në ‘Qemal Stafa’. (Në libretin e ndeshjes së djeshme FSHF ka vënë gabimisht datën 28 prill 2001). Kisha disa vite që jetoja në Londër dhe kisha verifikuar me sytë e mi, atë që Hodja më tregonte për Uemblin e rrumbullakët. Stadiumi krenari e anglezëve, ishte në fakt jo një stadium futbolli. Pista e tij ishte e rrumbullaktë. Ajo përdorej për gara kuajsh e sidomos qensh dhe fusha e futbollit, ishte edhe fushë rugby, një tjetër sport që ka lindur në Angli, nga qyteti me të njëjtin emër. Rugby, thonë anglezët është sporti i të varfërve që luhet nga fisnikët. Kjo është arsyeja përse ai sport fizik nuk sjell viktima, por maksimumi thyerje hundësh dhe brinjësh. Pasi fisnikët kanë edhe një kod kur përleshen. Kurse futbolli… gjithmonë sipas anglezëve, është sporti i të pasurve që luhet nga të varfërit. Ndoshta jo më kot, është dhe rruga më e shkurtër për t’u bërë i pasur, pa shitur drogë e pa vrarë njerëz. Ndaj (duke iu kthyer Uemblit) të luaje futboll aty, nuk ishte e lehtë, pasi edhe përmasat e fushës së tij, ishin më të mëdhatë e një fushe futbolli. Tani mendoni si janë ndjerë aty, çunat tanë, që bluzat u nxirrnin djersë, përballë anglezëve, bluzat e të cilëve nxirrni birrë dhe uiski!

Por në ndeshjen e 28 marsit 2001, për pak ndodhi mrekullia. Një stadium i stërmbushur, ku unë shquajta – e më pas bëra dhe foto – me legjendën gjermane Horst Hrubesch. Njeriu që i kishte shënuar disa gola Shqipërisë, gjatë eleminatoreve të botërorit Spanjë ‘82, ishte i dërguar aty nga DFB për të ndjekur edhe Anglinë, por edhe Shqipërinë, me të cilën ndeshej më pas në atë grup të hekurt e të tmerrshëm, nga ku Anglia u kualifikua vetëm në sekondë të fundit me një gol të Beckham ndaj Greqisë, ndërsa Gjermania mezi mundi Shqipërinë 4 me 3, me golin 4, në minutë të ‘94. Në atë ndeshje të tretë mes shqiponjave dhe luanëve, veshi për herë të parë bluzën e Anglisë Ashley Cole, një mbrojtës i shkëlqyer i Chelsea, por ndeshja mbahet mend për 5 minutat e fundit. Altin Rraklli, që ishte tashmë në fund të karrierës, u fut në fushë vetëm në minutën 85. Por brenda pak minutave ngriti stadiumin në këmbë. Pas një pasi në anësore në të djathtë të gjysmë fushës jugore, ai shtyu topin para dhe e ndaloi me të djathtën e tij në fund të rrjetës së anglezëve, të cilët deri në atë moment, ashtu si në 1989, kryesonin 0 me 2. Por nuk mjaftoi me kaq. Një minutë e pak më vonë Rraklli shënon sërish, por gjyqtari nga Luksemburgu nuk e pa të udhës të ishte fajtor për eleminimin e anglezëve. Rasti më pas përfundoi në hetim dhe FIFA e klasifikoi tek padrejtësitë dhe e përdori si ‘case study’ për të ndryshuar rregulloren. Por dënoi ama Shqipërinë me 80 mijë franga zvicerane. Pas anulimit të golit të dytë të Rrakllit që do ta çonte ndeshjen në barazim, tifozët ulërinin të irrituar. Një goditje këndi në minutën e 93, në të majtë të gjysmëfushës jugore, Beckham afrohet pranë flamurit të këndit, por befas këputet e rrotullohet përtokë. Sipas hetimeve, tifozët duhet të kishin hedhur një tapë plastike, e cila si duket kishte goditur për “vdekje” Davidin delikat. Nga ajo korne, një tjetër Cole (Endrju, sulmues i Manchester United), shënoi golin e tretë. Ishte Shqipëria që po rilindte. Shqipëria që mundi Greqinë 2 me zero, një ekip për Shqipërinë e madhe, atë të zemrës dhe jo të territoreve, me Canën, Dallkun, Currin dhe çunat e tjerë dardanë, që lanë mundësitë për të luajtur me ekipe të mëdha të vendeve ku ishin natyralizuar dhe veshën fanellën kuqezi. Por në futboll në fund fitojnë anglezët. Të paktën kur luajtën me ne.

Kjo u provua edhe në shtator 2001, kur në St.James Park të Njukasëll, në veri të Anglisë, ata na mundën sërish. Me Michael Owen dhe Robbie Fowler, një ndeshje ku megjithatë shkëlqeu sërish portieri ynë, Foto Strakosha. Po për mua ndeshja zhvillohej ngjitur me ulësen time. Aty ku rrinte Sir Bobby Robson. Trajneri i Anglisë së 8 marsit 1989, asaj Anglie që nuk e pashë kurrë, Anglisë që e “shita” për 500 lekë. Anglisë që ndiqja nga pas që atëherë, e që tani e kisha ulur në krahun tim të majtë. Në të djathtë kisha tim atë, i cili buzëqeshte dhe me shtynte: “Merri një autograf”. Autografin ia mora Sir Bobby Robson, tashmë i lehtësuar se pas 12 vjetësh, edhe im atë më kishte falur për gabimin tim të marsit 1989 (Janë ca gjëra që nuk blihen me para. Sidomos liria dhe kujtimet).

Dhe ndërsa truri radhiste kujtimet dhe ndjenjat, në pasditen e 28 marsit 2021, këmbët ecnin drejt Air Albania Stadium. Tashmë përballja me të shkuarën ishte më direkte. Sërish eci mes RTSH dhe stadiumit. Shumë gjëra nuk janë më. Nuk është më ‘Qemal Stafa’, megjithëse ruhen akoma shkallët dhe hyrja e dikurshme (Uembli i vjetër nuk e pati dhe as kaq fat). Nuk është më as tim atë. Por ai më kishte falur 20 vjet më parë. Një gjë nuk ka ndryshuar; Përballë sërish policët dhe mezi po prisja… Por nuk më zhgënjyen sërish. Më thanë t’i bija nga Presidenca e më pas të rrotullohesha (e në fakt të vija po thuajse në të njëjtin vend, por pasi të bëja një xhiro 100 metërshe). Pasi kalova presidencën duke përshëndetur me “mënyrën” time Ilir Metën, kalova me shpejtësi sheshin ‘Nënë Tereza’ duke shtrënguar edhe më shumë maskën, a thua se instikti më nxiste të ruhesha më shumë nga përqëndrimi i virusit aty, nga mitingu i ditës së premte, duke menduar se përse vendimet në këtë vend vazhdon dhe i merr o policia, o ata që mendojnë njëlloj si ajo. Por ndërsa i afrohem tribunës së medias, kuptoj sesa shumë ka ndryshuar jo vetëm Shqipëria. Jemi çuditërisht shumë gazetarë, kryesisht të medias sportive dhe shumë gazetarë të opozitës. Mes tyre shquaj mikun dhe kolegun Çim Peka, i cili kishte thyer kështu betimin e tij publik për të mos shkelur kurrë në këtë vepër “korruptive” të qeverisë Rama (Air Albania Stadium). Por në fund të fundit, kush gjykohet nga fjalët në këtë vend? Në fakt që nga koha e premtimit të Çimit, ka kaluar shumë kohë. Edhe Rama bile ndërkohë ka qënë për vizitë nga Syri. I vetëm dhe stoik në bojkotin e tij ndaj super stadiumit të ri me një super kullë sipër, është Ilir Meta. Por tek Syri ama, shkon akoma.

Edhe pjesa tjetër e borgjezisë opozitare, që shan oligarkët dhe u merr para, ishte aty. Pa Laps në dorë, por me gjuhën e helmët të xhelozisë për atë që nuk kanë dot. Një pjesë me këpucë Church’s, të sjella nga çunat e Londrës, një pjesë me atlete Gucci veshur nga gocat e Instagramit. Përpjekje të dëshpuara për të fshehur mungesën e madhe të mirësisë, e të qetësisë nga pamundësia e pasjes të asaj që ka dikush tjetër.

Për disa fitorja ka mbërritur, kohë para 25 prillit. Dikush mund të inatoset, dikush mund të idhnohet. Dikush mund të vërë buzën në gaz. Të gjithë ama fajësojnë qeverinë. Për arsye të kundërta. Buzëqesh dhe shikoj ndeshjen. Për fat ngjitur kam legjendën e gazetarisë sportive Bashkim Tufën, me të cilin bëj vetëm muhabet futbolli. Ca gjëra nuk ndryshojnë në ‘Qemal Stafa’, apo ‘Air Albania’. As Bashkim Tufa. As borgjezia opozitare, as Rama. As anglezët.

Anglezëve Armand Duka u ka bërë dhuratën më të madhe: fushën. Një fushë perfekte. Aty ku Walker i Man. City fluturon si Skywalker i Star Wars, ku Mason Mount valëzon si Nureyev, ku edhe Macguire, një gënjështar i ulët, por mbrojtës i madh, duket i pakalueshëm. Këtij Macguire ne shqiptarët i paskëshim ngacmuar motrën në Mykono vjet, por në fund doli që kishte gënjyer. Por jemi në kohë pandemie dhe tifozët kuqezi nuk janë që t’i bëjnë asaj të fala kolektive nga shkallët bosh të stadiumit. Kemi vetëm Uzunin e hutuar dhe të frikësuar, që preferon më mirë të gjuajë jashtë një gol të sigurt, sesa të prishë traditën e mundjes nga anglezët. Dhe me të njëjtin rezultat: 0 me 2. Nga golshënuesi më i mirë i Botërorit 2018 në Moskë, Harry Kane dhe Nurejevi londinez i Chelsea, Mount. Ne u ndjellim fat skuadrave të mëdha. Desh eleminuam Gjermaninë e Yupp Derwall në 1981, por ajo përfundoi nënkampione e botës një vit më vonë. Mundëm Belgjikën e Sciffo e Pffaf, por ajo përfundoi e katërta në Botërorin e Meksikës. Mundëm Portugalinë e Ronaldos në 2014, por ajo përfundoi kampione e Europës në 2016. Vetëm anglezët nuk kanë nevojë për “hajmalinë” tonë. Pasi na mundën dy herë në 1989, dolën të katërtët në Botërorin Italia 90. Në 2001, kualifikimin ua rrezikoi Gjermania, që i mundi 5 me 1 në Uembli, në ndeshjen e fundit të stadiumit legjendar. Gjermania në atë botëror u ndal vetëm në finale nga Brazili i Fenomenit.

Bota është gjithnjë e më e vogël, si topi i futbollit. Por gjërat ndryshojnë jo me të njëjtën shpejtësi dhe jo gjithmonë me drejtësi. Për shembull, Berat Xhimshiti, mbrojtësi më i mirë i Shqipërisë, nuk u mor nga De Biasi në Europianin 2016. Në vend të tij shkoi Andi Lila, një mbrojtës i qeshur, me fizik e inteligjencë që nuk i ecnin gjithmonë njësoj në fushë. Dje ai pa ndeshjen me Bashën dhe i dhuroi bluzën e Kombëtares me numrin 9. Kushedi si shenjë mirënjohjeje meqë Basha e la jashtë listës për deputetë. Një kritikë më pak për liderin e opozitës, dhe këtu edhe unë jam dakort. Por bluza ka një kleçkë. Shqiponjën e ka vizatuar Edi Rama, që në 2016. Por Lila nuk ka nga ta dijë. Në atë kohë stërvitej fort dhe nuk kishte dot mundësitë të lexonte. As Basha, megjithëse ka lexuar që 4 vjeç. Por kohët kanë ndryshuar dhe lajmi ecën më shpejt dhe ja, e morën vesh tani. Pak sekonda më vonë, ‘BalkanWeb’ nxjerr me shpejtësi lajmin: “Aurela Basha publikon në Instagram foton: “Ja zemra jonë gjatë ndeshjes me Anglinë. Shqipëria fiton!”

Shqipëria humbi. Në fund si gjithmonë fitojnë anglezët. Si në 1989, si në 2001. Është ndoshta arroganca e superioritetit, forca e gjunjëve apo ironia e fatit? Paul Gasgoigne kështu do jetë ndjerë kur bënte foto me shokët e Gëzim Kullufit para 15 katëshit e me siguri do jetë tallur bashkë me ta, me “grataçielën” qesharake të komunizmit tonë grotesk. Por sot mbi stadium ka një kullë dy herë sa ajo ndërtesë. Dhe me të nuk tallesh dot. Sot edhe opozita ka borgjezinë e saj, dhe para se të shajmë atë, të gjithë shajmë të njëjtin kryeministër. Falë Zotit dhe pandemisë, është maska reale higjenike që mundëson përmbajtjen. Ndërkohë legjenda tjetër sportive, që s’di pse, sot nuk është në stadium, më ngacmon në celular. Shakohoxha më shkruan mesazh, ndërsa luhej himni britanik: “Mos bëj kot, dukesh që këndon himnin e  Mbretëreshës”. Maska ndihmon fshehjen e përgjigjes së sinqertë, por jo ama zërin kur këndoj refrenin e këngës sime të preferuar: “Nga lufta kush largohet, është tradhtar”. Dhe ndërsa vras mendjen se në këtë luftë, cilat janë palët, në fund më ngushëllojnë gjithmonë anglezët. Ata edhe kur fitojnë, edhe kur humbin, këndojnë gjithmonë të njëjtin varg. Ndryshon vetëm gjinia e monarkut. Prej 79 vjetësh i këndojnë Elizabetës. Ajo është Anglia e tyre.

Po Shako! Mbrëmë dhe unë këndova me ta:

Zoti ruaj Mbretereshën. Dhe je që je, edhe Shqipërinë!/realstory.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb