Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë ditën e djeshme në një takim elektoral në Prrenjas ku ka prezantuar kandidaten e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki në zgjedhjet e 14 majit.

Nga atje Berisha deklaroi se paratë e buxhetit të shtetit po vidhen, ndërsa akuzoi drejtpërdrejtë ministren Balluku, duke thënë se së bashku me kryeministrin Rama ndërtojnë rrugë në fushë me 24 milionë euro për kilometër në një kohë kur në Evropë ndërtohet me 3 milionë.

Po ashtu, Berisha deklaroi se kryeministri Rama “shëtit me avion me dhomë gjumi dhe shpenzon 22 milionë euro”, ndërsa blen “vazo druri për oborrin e kryeministrisë 4 milionë euro dhe ha darka nga 10 mijë euro”.

“Ky zotëri që shëtit me avion me dhomë gjumi dhe shpenzon 22 milionë euro, ky që blen vazon e drurit për oborrin e kryeministrisë 4 milionë euro, që darkon me 10 mijë euro ky nuk ka ndjenja për qytetarët. E vura re para dy ditësh, një mbështetësi të tij i ra të fiktë i ktheu shpinën sikur të ishte armik. Këto janë sedimentet e tij për qytetarët.

Pra çfarë bëri ky, ky ngriu rrogat, ngriu pensionet, por çmimet nuk ngrihen dot. Çmimet në kushte tregu rriten nga viti në vit dhe rritja e tyre është dëshmi e një zhvillimi të ekonomisë. Por rritja e tyre kërkon që të rriten rrogat më shumë se çmimet.

Tallet me qytetaret, rrit rrogën e presidentit, del e thotë ja bëra 4mln e 600 mijë lekë, admiralit ja bëra aq e kaq, po qytetarëve, po nëpunësve, po ushtarakëve, po infermiereve ku i rriti? Mashtrues cinik, miratoi ligjin dhe e mbylli parlamentin vetëm e vetëm për të mashtruar qytetarët. I them urdhëro zotrote, nesër ligjin në parlament ta votojmë, por nuk e sjell se është mashtrues i paskrupullt para qytetarëve.

80-90% e parave që shpallen për punë publike vidhen. Nuk ka vend tjetër në botë që të ndërtojë autostradën në fushë me 24 mln euro. Gjermania, Norvegjia, Suedia i ndërtojnë me 2-3 mln euro. Kurse Rama Balluku i ndërtojnë me 24 mln euro. Por çfarë bëjnë? I vjedhin. Ndërtojnë shkollat me 6–7 milionë, ndërkohë kur shkon 700 mijë në Francë, Gjermani dhe kudo tjetër”, u shpreh Berisha.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb