TIRANË

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka falënderuar të gjithë miqtë që iu gjendën pranë familjes së tij dhe i lehtësuan, me praninë, mendimet, mesazhet, lutjet dhe mbështetjen e tyre për humbjen e të atit Xhelal Basha, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë pas një sëmundje të rëndë.

Basha shkruan në një postim në “Facebook” se babai i tij u nda nga kjo jetë pas një beteje të gjatë, teksa nuk mungon dhe një falënderim për personelin shëndetësor.

Babai i kreut të PD u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare pasi kishte qëndruar për muaj me radhë në spital, duke luftuar me një sëmundje të rëndë prej 1 viti.

MESAZHI I PLOTË
Sot i dhamë lamtumirën babait tim Xhelalit i cili u nda nga kjo jetë pas një beteje të gjatë, duke na hidhëruar dhe ligështuar, mamanë time Remzijen, mua dhe vëllain tim Erlindin, Aurelën, vajzat, familjarët dhe miqtë e shumtë të tij dhe familjes. Ai u largua në paqe i rrethuar nga dashuria dhe përkujdesi i njerëzve të tij të dashur.

Në këto momente dhimbje të rëndë për familjen tonë, falënderojmë me mirënjohjen më të thellë të gjithë miqtë dhe dashamirët që na u gjendën dhe na lehtësuan, me praninë, mendimet, mesazhet, lutjet dhe mbështetjen e tyre.

Falënderojmë mjekët, infermierët dhe të gjithë personelin shëndetësor për përkujdesjen e tyre të dhembshur për babain gjatë gjithë kësaj periudhe.
Për familjen tonë kjo është një humbje e madhe. Por po kaq i madh është ngushëllimi që Zoti e mori me qetësinë dhe dinjitetin që i fali në çdo çast të jetës së tij, si dhe lutjet tona që shpirti t’i prehet në paqe!

  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: