TIRANË

Mjeku i Urgjencës Kombëtare Ilir Allkja ka folur në Neës24 edhe për situatën e COVID-19 në vend. Ai tha se së bashku me disa mjekë mendojnë se është arritur imuniteti i tufës dhe se kur të vijë vaksina nuk do na duhet. Sipas tij, pranvera do jetë pa koronavirus.

“Zoti na ka me sy të mirë, rastet e infektimeve po bien. Unë dhe kolegë të mi mendojmë se 60% e kanë kaluar, është arritur imuniteti i tufës. Besoj shumë që pranvera do jetë pa koronavirusin dhe pa disa viruse të tjera”, tha ai.

Lidhur me menaxhimin e pandemisë, Allkja përsëriti kritikat e tij.
“Në fillim fare u la jashtë lufte mjeku i familjes, që është mjeku i bazës, kontakti i parë i çdo të sëmuri. Jo vetëm që u la jashtë por u centralizua marrja e informacionit, dhënie e informacionit, u centralizua reagimi. kush kishte shqetësime duhet të fliste me 127 jo me mjekun e familjes. E kuptuan këtë gafë dhe në prill futën në lojë dhe mjekun e familjes. Ka shumë gjëra që për mua janë bërë gabim dhe duhet të ishin bërë më mirë. Kjo nuk bëhej me skuadër partizanësh por profesionistësh. Skuadër partizanësh, mjekët e zgjedhur me preferenca partiake. Unë jam mjek dhe iu kam shërbyer njësoj të gjithëve. Nuk kam dashur të di se kush është ky, cilës parti i përket. Ne i shërbejmë jetës, pacientit. Në daljet e mia për media për këtë kam folur për t’iu shërbyer më mirë njerëzve. Është më mirë 10 kritika se 10 të sëmurë më shumë. Një kritikë nuk e dëmton sistemin e shëndetësor, aspak. Përkundrazi unë kërkova më shumë siguri në punë dhe qeveria duhet të përgjigjej pozitivisht, nuk kishte pse të më linçonte publikisht. Të pyesim miq e të afërm, nëse dinë një kryeministër në glob që të ketë linçuar publikisht një mjek vetëm pse ka kërkuar siguri në punë”, deklaroi mjeku Allkja.

Sipas tij, rastet po vijnë në rënie, numri i infektimeve po vjen në rënie dhe unë kam besim të fortë që në pranverë pothuaj do jetë drejt finishit dhe nuk do kemi nevojë për vaksinë.

“Vaksina do të vijë atëherë kur nuk do na duhet më. E shoh larg arritjen e vaksinës. Pashë që para një jave filloi vaksinimin Greqia, Serbia, ndërkohë që asnjë km i këtyre vendeve nuk udhëtoi me tam-tam-e, kryeministri jonë i mëshon propagandës. Pikërisht se kam qenë kritik me propagandën qeverisëse jam sot i papunë”, tha ai.
Mesazhi i fundit i mjekut të urgjencës, i shkarkuar sot nga puna nga QSUT ishte për ata që firmosën largimin e tij, por dhe për shqiptarët.

“Unë nuk kam asgjë personale, i mëshiroj ata që kanë firmosur largimin tim nga puna. I uroj gjithë shqiptarëve një vit të mbarë dhe plot shëndet në ditët që do të vijnë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb