Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, iu është bashkuar reagimeve sa i takon një lajmi se presidenti Bajram Begaj ka liruar nga detyra Edvin Shvarcin, pjesë e stafit të Protokollit Zyrtar të Kreut të Shtetit dhe përkthyes zyrtar i katër Presidentëve.

Gjekmarkaj i sugjeron Begajt që të reflektojë dhe të tërhiqet nga ky vendim.

NGA: Agron Gjekmarkaj
Duke lexuar një shkrim të Andi Bejtjes mora vesh që Presidenti i Republikës, Bajram Begaj kishte liruar nga detyra ose me qartë të themi e kishte hequr nga puna Edvin Shvarcin i cili ka punuar aty me katër nga krerët e shtetit !

Nuk e di cili është motivi po në vendin tonë në përgjithësi ato janë subjektive për të hequr dikë që ti hapet vend dikujt !

Për më shumë se tre vjet kam qenë pjesë e stafit të Presidentit Bamir Topi, aty e kam gjetur dhe aty e kam lënë Shvarcin! Nuk e kam pasur as mik sepse ai nuk afrohej shumë por as antipati jo, sepse ai ishte korrekt dhe i respektueshëm me të gjithë pa i ikur tentacionit për humor elegant. Ai të linte përshtypjen si pakkush tjetër që atë e mbron puna e tij dhe ligjet e shtetit jo raportet personale dhe miqësitë. Një qasje hebraike ndaj të dyjave kishte.

E bënte si askush tjetër punën e vet, atë të përkthyesit po e po por edhe të drejtorit. Solid në kulturë jo thjesht si biri i Shvarcit të madh por i studimeve në Shqipëri e Amerikë, leximeve, përkthimeve, ngulmimit të tij. Një anglishtfoles i përsosur. Pa drojë i bënte nder zyrës ku punonte, i jepte asaj dinjitet dhe rracionalitet, rregull e korrektësi. Sot është i papunë. Sa keq. Edvini do ta gjejë një punë me siguri por Presidenca e Republikës zor e ka ta zëvendësojë me një të ngjashëm sepse realisht ai s’ka të ngjashëm në përpikërinë dhe skrupolozitetin që e karakterizon. Persona me kaq eksperiencë në çdo vend të Evropës mbështeten, promovohem ndërsa tek ne i hedhim në rrugë.

Përshtypje bën e dhemb më shumë kur këtë e ben Presidenti i Republikës të cilin nuk e përshkruajnë për burrë të keq nga pikëpamja njerëzore se nga ajo publike nuk po merrem. Dikush mund t’i thotë Shvarci nuk është i yni, një tjetër me gjej një vend pune për djalin, nusen, motrën etj por Presidenca e Republikës nuk duhet të jete vend qokash të rëndomta, po simbol i shumë ekuilibrave të Kushtetutës, të respektimit të shtetit, të dinjitetit të zyrtarit, të traditës, të krahinave, të feve, të minorancave e shumëçkje që shfaqet si komponent i shoqërisë sonë! Zoti President ktheje Shvarcin aty ku ishte, ky gjest mund të të merret për mirë, si gjest i njeriut që di të kuptojë gabimet e veta, këshillat e këqija dhe kërkesat mujshare. Korrigjimi i gabimit nuk është dobësi. Kur shembulli mungon në Presidencë, kur shteti goditet bash aty në ligj por edhe në mistiken e tij mbrojtëse për më poshtë mbetesh pa tekst!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb