NGA: FATMIRA NIKOLLI
Shqiptarët i kam parë të zbresin nga anijet, janë çaste që nuk harrohen e më prekin. Ishin të stërlodhur, të sëmurë pjesërisht, të dëshpëruar dhe shumë me shpresë”. Ende emocionohet e përlotet kur kujton ato ditë të trishta në Bari, kur së bashku me përkthyes e mjekë, morën trenin nga Mynihu për të pritur shqiptarët që iknin me anije drejt Europës. Kanë kaluar tanimë më shumë se dy dekada, ata janë integruar, por Zuzana Finger ende i përjeton pamjet e atyre ditëve, fiksuar qartë në kujtesë si kujtimet më të dhimbshme të një kombi mes jetës e mbijetesës, të dëshpëruar e plotë shpresë. Përkthyese e disa autorëve shqiptarë në gjermanisht dhe kryetare e shoqatës “Martin Camaj”, Zuzana Finger është këtë muaj në rezidencën e “Poetekës”. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ajo tregon si mban mend Shqipërinë e vitit 1988, 1989 mandej shqiptarët që iknin nga vendi pas hyrjes në ambasadën gjermane, shqiptarët e vitit 1996 si edhe ata të ditëve tona, që e përshëndesin ngado, ndërsa ajo dëgjon të folmet e ndryshme, çka më pas do i shërbejë për përkthimet letrare që bën nga shqipja drejt gjuhës së saj. Kujtimet e para e të fundit, Shqipëria “e burrave”, ajo e zgjedhjeve, e kaosit dhe e rindërtimit, vijnë në një rrëfim që kapërcen 30 vite përnjëherë, përmes çasteve më kryesore.

– Cili ka qenë kontakti juaj i parë me Shqipërinë?
Kur kam qenë ende studente në Berlinin Perëndimor, një profesor i yni organizoi një ekskursion në Shqipëri me studentë të gjuhës e historisë dhe erdhëm këtu në vitin 1988. Qëndruam një javë dhe në atë kohë nisa të mësoj shqipen. Shqipëria më ka lënë një përshtypje të fortë edhe pse gjuha shqipe më dukej shumë e vështirë. Kam pasur shumë fat, sepse një vit më vonë konkurrova për një bursë të Shërbimit Akademik Gjerman. Një bursë njëmujore për ndjekjen e kursit të shqipes në Tiranë.

– Si t’u duk Shqipëria më 1988?
Unë jam me origjinë nga Çekosllovakia dhe isha rritur me rregullat e socializmit. Më herët kisha koleksionuar pulla postare, pra kur isha e vogël dhe kisha disa pulla nga Shqipëria. Një lidhje me të e kisha gjithmonë. Më pas kur erdha në aeroport e pashë nga afër ashtu si edhe në ditët kur shkuam me autobus në qytete të ndryshme. Në Gjermani ka pasur albanologë shumë të mirë. Unë kam gjetur atje njerëz shumë të interesuar ndaj Shqipërisë e kulturës shqipe.

– Ku shkuat atëherë gjatë asaj jave qëndrimi?
Kemi qenë në Sarandë, Kukës, Pogradec. Shumica e grupit studionin histori e gjeografi. Krijuam një përshtypje si ishte vendi dhe një përshtypje se si ishte jeta e përditshme.

– A ishit të lirë të bisedonit me njerëzit?
Jo. Kemi qëndruar në Hotel Tirana dhe kemi qenë mjaft të izoluar. Çdo gjë ka qenë e organizuar, kishim program e kishim pak kontakt me shqiptarë. Edhe ata ishin kuriozë të flisnin me ne, por nuk guxonin të flisnin. Më pas, mendonim se nëse e provonim të bisedonim, do përbënim rrezik për ta.

– Kishit frikë që ishit këtu?
Jo, fare. Ne nuk kemi qenë aspak në rrezik.

– Pse erdhe me bursë një vit më vonë më 1989?
Doja të mësoja shqipen, kisha dëshirë. Qëndruam në të njëjtin hotel dhe shkonim në mësim në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Prapë nuk kishim kontakt me shqiptarë. Më kujtohet se në rrugë kishte shumë-shumë burra, dhe çuditeshim pse s’kishte gra. Më duket se gratë ishin të zëna në shtëpi. Kur pyesnim pse s’ka gra, na thoshin se ata janë në turne të tjera e kur i shihnim ne, nuk punonin. Në parqe, rrugë e sheshe kishte vetëm burra e ishte viti 1989. Bënim ushtrime në gjuhë dhe mësuese kam pasur Brikena Kacadei dhe Pandeli Pani.

– Pse doje të mësoje shqipen?
Kam studiuar gjuhësi dhe kam udhëtuar në Jugosllavi, meqë gjuha ime amtare është gjuha sllave dhe nuk kisha vështirësi të kuptoja sllavët kur flisnin, ndërkohë nuk kuptoja dot shqiptarët. Kjo më interesonte shumë, nuk e duroja që nuk i kuptoja shqiptarët. Ishte kureshtje dhe natyrisht kam pasur një profesor të mirë në Berlin që merrej me gjuhën shqipe dhe ai na ka entuziazmuar: Norbert Reirter.

– Si vazhdoi marrëdhënia juaj me shqipen pas ikjes nga Shqipëria?
Disa kohë nuk pata më kontakt. U ktheva në Kosovë për dy vite për Shërbimin Akademik gjerman më 1999-2001. Punova ne Fakultetin Filologjik në Prishtinë si lektore e gjermanishtes. Isha e lumtur se isha te shqiptarët. Ishte kohë e frikshme për mua. U njoha me shkrimtarë kosovarë. Në vitin 2000 u njoha me Nevijana Dosti që punonte tek ambasada gjermane. Ajo më ka shtyrë të përkthej letërsi

– Cilët autorë shqiptarë keni përkthyer?
Kam përkthyer nga serbishtja e nga gjuhë të tjera, por se di është shqipja, është më e rëndësishmja.
Kam përkthyer “Në kërkim të këmishës së humbur” për një antologji në Austri. Më 2006 përktheva Arian Lekën disa poezi për një lexim në Gjermani. Disa i kam përkthyer vetëm për lexime panairesh. Kam përkthyer pesë drama të Jeton Nezirajt dhe po përkthej të gjashtën, është botuar edhe Xhevdet Bajraj, kam përkthyer edhe Arben Idrizin, Shkëlqim Selmanin, Parid Teferiçin, Luljeta Lleshanakun, Luljeta Danon, Ervina Halilin, Lisjana Demirajn, Doruntina Bashën, Ledia Dushin. Tani që jam në rezidencë letrare në Tiranë te “Poeteka”, dhe me këtë rast i falënderoj shumë që më përzgjodhën mua të vij, po takohem me ata që i njoh si autorë, por nuk i kam takuar nga afër. Unë kryesisht merrem me përkthime të poezisë, por kam përkthyer edhe dramë, por jo romane. Kur e kam takuar njëherë të paktën autorin, mundem ta përkthej më mirë atë, sepse arrij ta njoh, ndaj dua të takoj sa më shumë. Përkthimi ka shumë fjalë e njohja e autorit është një çelës për të kuptuar tingullin e saktë të fjalëve të tij. Kam qenë në rezidencë në Kosovë, te Qendra Multimedia dhe tani jam këtu për herë të parë si përkthyese dhe jam e lumtur se kështu unë takoj poetë nga Shqipëria. Këtu po shoh si flasin njerëzit sot, si jetojnë e kjo është me rëndësi për përkthimin, se gjuha zhvillohet dhe fjalorët nuk janë shpesh të updatuar.

– Cila është “marrëdhënia” juaj me Martin Camajn?
Jam kryetare e shoqatës “Martin Camaj”. Paraardhësi im ka qenë Hans Joachim Lanksch. Ai është përkthyes shumë i mirë i autorëve gegë. Më pas ka qenë kryetar Bardhyl Demiraj dhe tani jam unë, me shumë modesti. Është vështirë të kryej një punë të mirë me paraardhës të tillë. Ai ka jetuar në Mynih, po unë nuk e kam njohur të gjallë. Njoh Erika Camajn që është presidente nderi e shoqatës. Njëherë në vit kemi mbledhje të anëtarëve. Ka qenë shumë kohë autor i ndaluar dhe autor i harruar. Shoqata merret me të dhe me veprimtari të kulturës shqiptare.

– Dikur e re, tani në moshë si përkthyese. Por keni qenë edhe si vëzhguese zgjedhjesh. Si janë këto tri njohje të Shqipërisë?
Kam qenë si vëzhguese zgjedhjesh më 1996. Trazirat erdhën më vonë. Kishte konflikte politike atëherë, kaos, zemërim e mllef. Diçka nuk ishte në rregull. Ishte një situatë si çasti para stuhisë.
Më pas kam punuar në Kosovë dhe u takova me autorët e mi. Me Luljeta Danon e Lleshanakun, me Paridin e Arianin. Lidhja ka qenë gjithnjë. Mund të them se Shqipëria ka ndryshuar shumë prej kur e mbaj mend unë. Jam e lumtur që jam dëshmitare e zhvillimeve aq historike e të thella. Mund të them se edhe unë e kam përjetuar.

– Si i ke pritur shqiptarët më 1990? Si u bëre pjesë e grupit që do të priste shqiptarët me trena në Itali për të shkuar në Gjermani?
Ambasada gjermane ka qenë pjesë e zhvillimeve atë kohë dhe ambasada pat kërkuar ndihmë në Gjermani. Qeveria gjermane vendosi t’i kërkojë ndihmë Kryqit të Kuq Gjerman për organizimin e tre trenave që duhej të vinin në Bari ku do të merrnin shqiptarët për t’i çuar në Gjermani. Më pas kërkuan që në tren të ketë mjekë, infermierë e përkthyes. Unë kam qenë përkthyese e grupit të këtij aksioni humanitar dhe kam pranuar menjëherë, bashkë me Robert Elsie dhe një gazetare që punon në Deutsche Velle, me të cilën kisha qenë këtu më 1989 për të mësuar shqipen.

– Ju u bëtë pjesë e grupit të punës si vullnetare. Më pas, si e përjetuat situatën?
Kjo ka qenë situatë shumë dramatike dhe shumë e prekshme. U nisëm nga Gjermania me tren dhe erdhëm në Itali në Portin e Barit. Shqiptarët i kam parë të zbresin nga anijet, janë çaste që nuk harrohen e më prekin. Ishin të stërlodhur, të sëmurë pjesërisht, të dëshpëruar dhe shumë me shpresë.
Tre trenat vijuan në drejtime të ndryshme. Një pjesë në Gjermaninë Jugperëndimore, një pjesë në Veri dhe një pjesë në Berlin. Për shumë e shumë vite mbeta në kontakt me disa refugjatë. E kanë pasur shumë të vështirë, sepse pas fillimit askush nuk merrej me ta, me integrimin e tyre, apo me punësimin. Ishin njerëz nga profesione të ndryshme dhe me një vullnet të madh që të integroheshin. Ishin teknikë, inxhinierë, njerëz që kanë studiuar edhe më pas në Gjermani. Derisa ishin në qendër refugjatësh ishin lehtë për tu kontaktuar e më pas morën banesa private. Përvoja ime ishte kryesisht e mirë. Erdhën nga një regjim tjetër në një qytet të madh dhe të ftohtë dhe e kanë pasur të vështirë. Sfida e tyre ishte se nuk u kujdes kush për ta pas një kohe të fillimit. Duhej që ata vetë të ecnin para. Ata u nisën nga një vend ku nisma e lirë qe e ndaluar. Shumica ka pasur sukses në integrim, por të tjera kanë pasur probleme. Sot, jam e lumtur që jam këtu. Nëse regjimi do të ishte ende, unë atëherë kurrë s’do ta kisha këtë përvojë që të flisja me ju, e me shqiptarë të tjerë, kur shkoj në dyqan, kur shkoj te bukëpjekësi, kur dal në rrugë, kur shkoj në librari flas me të gjithë. Sot janë ndryshe. Shumë shqiptarë kanë qenë jashtë, kanë kontakte, kanë studiuar e kanë dalë. Shqiptarët kanë bërë për një kohë të shkurtër, në kohën e as një brezi, kanë bërë shumë, një zhvillim të vrullshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: