NGA OLA MITRE
TIRANË- Rreth 600 mijë persona që janë të pasiguruar do të përfitojnë nga lista e barnave me rimbursim dhe çdo shërbim tjetër shëndetësor, sikurse një person që derdh kontribute, duke filluar nga muaji mars i këtij viti”.

Deklarata vjen nga nëndrejtoresha e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Alketa Hila, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, shpjegon procedurën e plotë që duhet të ndjekin këta persona për të përfituar shërbime shëndetësore falas dhe ilaçe me rimbursim.

Znj. Hila, tashmë është bërë me dije se rreth 600 mijë persona që janë të pasiguruar do të përfitojnë nga lista e barnave me rimbursim. Praktikisht, cilët persona përfshihen në këtë kategori?
Bëhet fjalë për 600 mijë persona, të cilët janë heterogjenë, qoftë në moshë, qoftë në profesione të ndryshme. Kuptohet që kjo fashë, përveçse është heterogjene në grupmosha dhe në profesion, mund të jetë heterogjene edhe në patologji të ndryshme. Deri në këtë moment shërbimi shëndetësor universal, që ka qenë politika e hedhur për herë të parë para 4 viteve dhe po mbyllet me sukses pikërisht në këtë fillimvit, ka trajtuar kategori të ndryshme personash, por që kanë qenë të përfshirë në fashën e njerëzve të siguruar, pra që derdhin kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore apo persona të moshës së tretë, të cilët marrin pension pleqërie.

Kjo kategori e re, prej 600 mijë të pasiguruarish, është një kategori jashtë këtyre personave, që do të thotë gra apo vajza të cilat janë shtëpiake, për një arsye të caktuar, rrisin fëmijët, janë studentë që kanë mbaruar universitetin dhe ende nuk janë të përfshirë në tregun e punës, janë të paaftë, të cilët deri dje merrnin vetëm një pjesë të rimbursimit të ilaçeve, ndërsa pjesën tjetër e paguanin sepse nuk kishin hapësirë që të përfshiheshin 100% si përfitues etj.

Pra, është një kategori njerëzish, të cilët tashmë do të jenë të barasvlershëm me gjithë kategoritë e tjera: të punësuarit, pensionistët, veteranët etj., në drejtim të shërbimeve shëndetësore që ata do të përfitojnë. Praktikisht, është një premtim i dhënë para pothuajse 4 vitesh i qeverisë “Rama” dhe që bëhet realitet edhe falë vullnetit të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Si do të funksionojë përfitimi?
Do të funksionojë me të njëjtin sistem referimi, me të njëjtin orientim si gjithë qytetarët e tjerë. Kjo do të thotë se do të paraqiten te mjeku i familjes, do të pajisen me kartën e shëndetit, dhe më tej do të përfitojnë shërbimet shëndetësore. Ndërkohë që, paralelisht me mbulimin universal, ne jemi duke realizuar edhe recetën elektronike, e cila gjithashtu do të përfitohet prej tyre.

Kur do të fillojë aplikimi për përfituesit?
Këta persona duhet të përfitojnë nga karta e shëndetit, e cila ka kodin për çdo pacient. Deri më tani kjo kategori nuk e përfitonte sepse ata rezultonin të pasiguruar, ndërkohë që me Vendimin e ri të Këshillit të Ministrave ata do të pajisen me një tjetër kod dhe përfitimi për në listën e barnave me rimbursim fillon menjëherë me hyrjen në fuqi të VKM-së. Lista e barnave të rimbursueshme nuk funksionon në vit kalendarik, por është funksionale deri në momentin që del lista e re e barnave. Unë mund t’ju them që brenda muajit mars këta persona do e kenë të prekshme listën e barnave me rimbursim.

Praktikisht, këta persona nuk e kanë detyrimin të jetë të regjistruar pranë zyrave të punës…
Në momentin që hyn në fuqi ky vendim qeverie, ata nuk e kanë më të domosdoshme regjistrimin në zyrat e punës. VKM-ja e përcakton qartë se, të gjithë personat që përfitojnë nga kategoritë: fëmijë, pensionist, i siguruar apo i papunë, përfitojnë pa qenë i domosdoshëm regjistrimi në zyrën e punës. Pra, këta 600 mijë vetë përfitojnë automatikisht, duke marrë kartën e shëndetit, por me një kod tjetër të veçantë, që quhen të pasiguruar dhe që mbulohen nga shteti.

Sa do të jetë masa e rimbursimit që përfitojnë?
Masa e rimbursimit është e njëjtë me të gjithë personat që janë të siguruar. Nuk ka asnjë lloj ndryshimi nga personat e tjerë. Pra, rimbursohen sipas diagnozës përkatëse si të gjithë qytetarët e tjerë.

Po shërbimet e tjera shëndetësore që përfitohen falas nga personat e siguruar, a do të përfitohen edhe kjo kategori?
Praktikisht ne kemi shenjë barazimi mes këtyre 2 kategorive. Por unë dua të theksoj që fondi financon 10 paketa të kardiologjisë, nefrologjisë etj., të cilat ofrohen në shtet dhe në spitalet private. Të njëjtën gjë do e përfitojnë edhe këta persona. Është i njëjti sistem dhe shërbim që do marrin këta pacientë, me personat që janë të siguruar. Jo vetëm kaq; përfitojnë çdo shërbim në çdo spital të vendit.

Ka pasur disa akuza të opozitës, lidhur me mungesën e buxhetit për realizimin e kësaj ‘lëvizjeje’. Sa e vërtetë është kjo?
Këto zëra unë nuk i konsideroj dhe refuzoj të futem në këtë diskutim të vogël, kur bëhet një gjë kaq e madhe dhe kaq e prekshme.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: