Zëvendës Drejtori për Rendin në Policinë e Tiranës, Dhimitraq Ziu qetëson qytetarët e Tiranës të trembur jo vetëm për jetën por edhe pronën e tyre pas lëkundjeve të forta të tërmetit që goditën sot vendin.

Në një lidhje telefonik për News24, zyrtari i policisë tha se nga ana e policisë së Tiranës janë marrë të gjitha masat për sigurinë e qytetarëve dhe banesave të tyre.

Ai tha se po mbahet nën vëzhgim nga policia kriminale edhe elementi kriminal që mund të favorizohet nga situata kaotike. Ziu tha se për 3 orë në sallën e komandimit ka pasur 1060 telefonata nga qytetarë që kërkonin ndihmë.

“U vumë në lëvizje dhe ju shkuam në ndihmë gjithë qytetarëve. Ndihmë qytetarëve për të dalë nga banesat. Evidentuam problematikat dhe kemi marrë masa të drejtpërdrejta.

Menjëherë janë vendosur forcat e policisë në çdo pikë në bashkëpunim me policinë bashkiake dhe Forcat e Armatosura që po vazhdojnë të ngrenë çadra për stabilizimin e gjendjes. Po kështu policia ka marrë masa në vendet ku janë banorët që nuk janë futur në banesa dhe janë marrë masa për garantimin e strehimit të tyre. policia i garanton që do të jetë pranë këtyre qytetarëve për të garantuar rendin dhe sigurinë. Policia ka marrë masa dhe me shërbimet e policisë kriminale për të mbajtur në mbikëqyrje të gjithë elementin kriminal pasi dihet që në situata krize ata kërkojnë që të përfitojnë. Është prezenca e policisë dhe në vendet ku janë braktisur banesat dhe po kështu me shërbime të fshehta nga policia kriminale për mbajtjen e kontrollit në këtë situatë. Vazhdon bashkëpunimi me qeverisjen vendore dhe urgjencën mjekësore dhe me shërbimet e FA-ve për të stabilizuar situatën dhe për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari në nevojë. Policia e Tiranës është e gjitha në terren dhe do të jetë gjithë natën në terren për të garantuar sigurinë ndaj qytetarëve dhe pronave të tyre. Iu bëj thirrje qytetarëve të telefonojnë për çdo shqetësim. Nga ora 16:05 deri në orën 19:05 si asnjëherë tjetër kanë qenë 1067 telefonata tek salla e komandimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë duke kërkuar ndihmë”, tha Ziu.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb