Panairin Ndërkombëtar të Tiranës ku pasqyrohet një Ballkan pa kufij ekonomikë, e vizitoi Zv/Kryeministri i Maqedonisë Veriore për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.

Pasi vizitoi pavijonet nga Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Herzegovina, Bytyci tha për News 24 se panairi përfaqëson me së miri bashkëpunimin siç është iniciativa Open Balkan dhe një epokë të re zhvillimi në rajon. Thotë se shtetet që nuk i janë bashkuar iniciativës kanë djegur një mundësi të madhe.

“Ky panair është dëshmi e pastër e iniciativës Open Balkan dhe qëllimit që “Ballkani i Hapur” ka. Fatkeqësisht ne në Ballkanin Perëndimor nuk fokusohemi tek qëllimi në vetvete. Qëllimi i Open Balkan është që të rriten konkurueshmëria rajonale dhe e bizneseve. Ne duhet të sjellim biznesin më afër, ta ketë më të lirë për të lëvizur që të ketë mundësi të rritet si biznes pa marrë parasysh nëse atë e bëjnë në vendin e tyre apo e bëjnë në rajon. Do të vijë momenti kur ne do të bëhemi të gjithë pjesë e Bashkimit Europian, kur ndoshta ata që nuk do të jenë pjesë e “Open Balkan” tani do të thonë pse nuk e bëmë para disa viteve sepse do të jetë një mundësi e humbur”.

“Ballkani i hapur” sipas zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut do të sjellë të ardhme më të mirë për ekonomitë e tre vendeve iniciatore. Javën që vjen Maqedonia e Veriut do të nënshkruajë një marrëveshje me Shqipërinë për lehtësimet në doganë duke zeruar pengesat burokratike të deritanishme

“Realisht tre shtetet iniciatore të ‘Open Balkan’ Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia dhe ajo realisht është e hapur gjithë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ne kemi ndërmarrë hapa konkrete. Vetëm dje dogana e Maqedonisë së Veriut firmosi marrëveshje me doganën e Serbisë për lirinë e mallrave dhe për uljen e shpenzimeve , mendoj se javën që vjen do ta bëjmë të njëjtën gjë edhe me Shqipërinë, dalëngadalë po lehtësohen pengesat burokratike dhe administrative që kanë qenë prezente për një kohë të gjatë në këto vende. Janari do na presë më shumë risi në kuadër të ‘Open Balkan’ sa i takon bizneseve.

Duke iu përgjigjur zërave kritike për këtë iniciativë Zëvendës kryeministri i Maqedonisë së Veriut thotë se konfliktet politike duhet të lihen pas.

“Është koha që konfliktet politike duhet të lihen anash, zgjidhja e konflikteve është dialogu”

Ndryshimet ne qeverinë e Bullgarisë Bytyqi i shikon me optimizëm duke thëne se situata do të zhbllokohet për Shqipërinë dhe Maqedonisë e Veriut.

“Kemi një konsensus brenda shteteve të BE-se se Shqipëria dhe Maqedonia i ka përmbushur kushtet, mendoj se pengesat do të zgjidhen, mendoj se  formimi i qeverisë së re në Bullgari do i japi zgjidhje përfundimtare konfliktit të ndoshta u krijua për interesa ditore, mendoj se viti që vjen do të jetë i mbarë për të dyja shtetet.

Ines Muçostepa kryetarja e unionit të Dhomave të tregtisë thotë se panairi këtë vit ishte sukses.

Me pavijone nga Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Herzegovina, Panairi i Tiranës prezantoi një eveniment që përfaqëson   rimëkëmbjen ekonomike, bashkëpunim dhe një epokë të re zhvillimi në rajon. Prezantimi  i Forumit të Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor ishte një ndër vlerat kyçe të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës të këtij viti. WB6 CIF është një nismë e përbashkët e dhomave të tregtisë dhe industrisë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, për të ofruar zërin e përbashkët të komunitetit të biznesit në Ballkan.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb