TIRANË- Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi ka komentuar Asamblenë Parlamentare të NATO-s si dhe çështjet kryesore të trajtuara. Koçi deklaroi se NATO e sheh Rusinë si një rrezik ndërkombëtar dhe se këtë e tregon qëndrimi agresiv që ky vend ka mbajtur kohët e fundit. Koçi foli edhe për një forcë të reagimit të shpejtë të organizuar nga NATO për ndërhyrje të shpejta dhe deklaroi se edhe Shqipëria do të jetë pjesë e saj.

“Jemi në një situatë kur NATO është duke u përshtatur. Jemi pas samitit të Uellsit dhe në prag të atij të Varshavës. Jemi në një periudhë kur besoj janë zhdukur iluzionet rreth rolit të Rusisë në marrëdhënie me vendet e NATO-s dhe për stabilitetin ndërkombëtar. Deri para pak kohësh NATO ishte partnere me Rusinë, ndërsa tani është kthyer në rrezik. Në krahun jugor të Aleancës ka zhvillime të tjera, ISIS, pasojat e konfliktit në Siri. Ky seksion i Asamblesë shumë i rëndësishëm.

Është e qartë se Rusia është duke mos respektuar më parimet e Helsinkit, është duke kthyer tek Jalta. Një situatë për ndarjen në zona të influencës. Kam parasysh vendimet e saj si ftesa për Malin e Zi që pati një reagim agresiv nga Rusia apo për mbrojtjen raketore. Ka patur reagime agresive nga Rusia. Në këtë periudhë është shkelur disa herë hapësira ajrore e vendeve baltike, ka pasur incidentet me Turqinë. Të gjitha këto e kanë kthyer Rusinë në një rrezik. NATO ka organizuar atë që quhet “Forca e reagimit të NATO-s” brenda saj është një forcë e reagimit të shpejtë. Edhe Shqipëria do të jetë pjesë e saj. Tani ka përfunduar një stërvitje në Poloni. Jemi në një situatë që kërkohet investimi i të gjithë aleatëve”, deklaroi Koçi.

Për sa i përket financimit, Koçi tha se SHBA-të kanë peshën kryesore ndaj është kërkuar rritje e shpenzimeve për mbrojtjen edhe nga vende të tjera.

“Kjo lloj situate kërkon një ndërgjegje tjetër. Paqja dhe stabiliteti kërkon shpenzim. SHBA-të mbulojnë pjesën më të madhe të investimit. Kërkohet që vendet e NATO-s që shpenzimet për mbrojtjen të jenë më të mëdha”, tha ai.

Shqipëria 7 vite në NATO
“Përfitimi i Shqipërisë është i madh. Nëse do supozonim se nuk do të ishte, shpenzimet për mbrojtjen do të ishin më të mëdha. Çdo cenim i integritetit territorial të një vendi në NATO është cenim i të gjitha vendeve. Nuk jemi thjesht vend përfitues por edhe po investojmë, me misione. Po përgatisim një mision në Irak, po shtojmë numrin. Jemi duke e rritur investimin tonë dhe aleatët tanë e kanë shprehur vlerësimin për rolin e Shqipërisë.

Ne jemi një vend jo fjalësh por veprash për sa i përket investimit tonë për paqe dhe stabilitet në botë. Jemi pjesë e koalicionit kundër ISIS, jemi investuar konkretisht për këtë gjë. Do të ngremë qendrën e ekselencës kundër luftëtarëve të huaj. Është një çështje që nuk duhet të ikë nga vëmendja. Mund të jenë rrezik për qytetarët dhe institucionet. Qendra e ekselencës në bashkëpunim me vendet e NATO-s, është marrë miratimi në parim”, deklaroi zv.ministri i Mbrojtjes.

Ai tha se NATO po reagon në vende ku ka konflikt por NATO është duke u marrë edhe me çështjen e refugjatëve pas marrëveshjes Turqi-BE.

Në lidhje me Shqipërinë në BE, Koçi tha se Shqipëria e meriton të jetë pjesë e saj.

“Ne jemi pjesë e Europës, jemi më europianë se disa pjesë të tjera. Jemi shumë afër dhe e meritojmë të jemi pjesë e saj. Nuk duhet të ketë një politikë agresive. Duhet një koncept më i hapur.

Nga kjo Asamble do të mbahen mend shumë gjëra. Asambleja bëri vlerësimin për të gjitha prezantimet e prezantuesve tanë. Ata do të mbajnë mirë Shqipërinë, Tiranën dhe vende të tjera. Besoj se të gjithë ata që kanë qenë aty do të jenë ambasadorë të Shqipërisë”, tha zv.ministri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: