TIRANË

Zëvendës ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka folur sot në studion e “Opinion” në News24 për dorëzimin dhe arrestimin e Klement Balilit. Ai vlerësoi punën e policisë dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa tha se janë goditur grupe kriminale që nuk ishin prekur kurrë më parë.

“Forca e Ligjit ka numëruar një sërë operacionesh ndaj grupeve kriminale që nuk janë prekur asnjëherë më parë në Shqipëri. E gjithë kjo përfshin një punë voluminoze. Policia sigurisht dhe në bashkëpunim me partnerët e tjerë, zbaton ligjin.
Etiketimet janë mediatike dhe nuk më takon fare dhe preferoj të mbështetem në hetime ligjore. Kemi një person të kërkuar që është në dispozicion të autoriteteve ligjore e të drejtësisë. Në zbatim dhe të urdhrit të arrestit të gjykatës shqiptare”, tha ai, raporton “BalkanWeb”.

Në lidhje me faktin se ish-kryeministri Sali Berisha ishte ai që dha lajmin për dorëzimin e Balilit, Lamallari i bëri thirrje të tërhiqet dhe t’i hapë rrugë zhvillimit të vendit.

“Përtej detajeve, emrave të grupeve ajo që për mua ka rëndësi është që duhet ta shohim në diapazon më të gjerë. Kishte grupe që nuk ishin goditur për aq kohë. Ku ishte Berisha në atë kohë? Pensionisti dixhital të tërhiqet dhe t’i hapë krahun zhvillimit të shtetit shqiptar. E përgëzoi ndalimin edhe zoti Soreca. Është një zhvillim pozitiv në luftën kundër krimit të organizuar por edhe për shqiptarët”, tha ai.

Lamallari njoftoi edhe për ngritjen e një strukture të specializuar për kapjen e personave më të kërkuar.
“Po punohet për ngritjen e një strukture të specializuar për kapjen e personave më të kërkuar në vend dhe jashtë vendit. Puna po ecën në drejtimin e duhur dhe ka pasur ritme të mira. Synimi është që të specializohet edhe më tej Policia e Shtetit për mbledhjen e të dhënave për këta persona dhe kapjen e tyre. Është një praktikë e njohur në vendet europiane dhe shpresojmë të bëhemi pjesë e rrjetit”, deklaroi ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb