ELBASAN- Zv.ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Dorina Çinari prezantoi sot portofolin e investimeve që ka angazhuar qeveria shqiptare për qarkun e Elbasanit.

Ajo deklaroi se gjatë mandatit që kaloi, qeveria ka patur një vëmendje të veçantë në rajonin e Elbasanit. “Janë investuar rreth 1 miliard lekë në infrastrukturën e rrjeteve të shpërndarjes së energjisë elektrike nëpërmjet OST”, evidentoi Çinari duke shtuar se këtë mandat kemi të tjera projekte madhore.

“Ndërtimi i një superstrade energjetike. Konkretisht është linja e transmetimit të tensionit të lartë 400 kilovolt Shqipëria-Maqedoni“, – deklaroi Çinari, duke shtuar se kjo bën të mundur lidhjen e sistemit energjetik në Shqipëri me sistemet energjetike të vendeve të rajonit.

“Ky projekt madhor, është pjesë e axhendës së konektivitetit në energji të qeverisë shqiptare, një nga projektet shumë të rëndësishme gjithashtu të rrjeteve të autostradave energjetike transeuropiane. Është konkretisht korridori 8 që do të bëjë transmetimin e energjisë nga lindja, në perëndim të rajonit tonë”, tha zv.ministrja.

Duke sqaruar këtë projekt të rëndësishëm, Çinari tha se “kjo do të realizohet nëpërmjet disa segmenteve. Është linja 400 kv Bullgari-Maqedoni. Kjo linjë ka përfunduar. Linja 400 kv Maqedoni-Shqipëri, ose më konkretisht është projekti ynë. Dhe më pas në perspektivë, Shqipëria do të lidhet me një kabull nënujor me Italinë, duke mundësuar kështu lidhjen e plotë të sistemeve energjetike në rajon”.

“Projekti do të përmbajë linjën 400 kv Elbasan 2, nënstacioni i Ohrit dhe ai i Manastirit. Ndërtimi i linjës 400 kv me një qark, ndërmjet Elbasanit, Qafë-Thanës për 56 km. Ndërtimi i linjës 400 kv me një qark midis Elbasanit dhe Fierit për 74 km, ndërtimin e nënstacionit të ri 400 kv Elbasani 3, fuqizimin dhe zgjerimin në nivelin 400 kv të nënstacionit të Fierit”, shpjegoi Çinari.

Është vlerësuar që projekti të kushtojë rreth 70 milionë euro me bashkëfinancues BE dhe Bankën gjermane KfW.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: