TIRANË

Shëndeti Publik ose Mjeku i familjes merr kontakt me personat që dyshohet se janë prekur nga koronavirusi dhe kërkojnë kujdes shëndetësor. Kështu deklaroi specialistja e Shëndetit Publik Silva Bino, e cila theksoi se po testohen ato raste të cilat kanë nevojë të testohen dhe të cilat paraqesin shenja të sëmundjes dhe jo çdo njeri që pretendon se është i infektuar.

Ndërkaq zëvendës ministrja e Shëndetësisë Mira Rakaçoli tha se gjendja e tre pacientëve të parë të infektuar me koronavirus është përmirësuar ndjeshëm.

Disa nga të infektuarit që janë në shtëpi, thonë që askush nuk merret me ta. Si i kontrolloni? A i kontrollon njëri?
Silva Bino: Natyrisht, ata që janë të vetëkarantinuar apo sidomos të vetëizoluarit, sistemi shëndetësor merr kontakt me ta, nëpërmjet mjekut të familjes apo sistemit të shëndetit publik.

Cila është rregullorja e përdorimit të kiteve dhe a është e mundshme për çdokënd që testohet, çdo i dyshuar?
Silva Bino: Ne testojmë ato raste të cilat kanë nevojë të testohen dhe të cilat paraqesin shenja të sëmundjes. Jo çdo njeri që pretendon se është i infektuar, është i infektuar. Sëmundja ka një periudhë inkubacioni  të caktuar kur virusi del. prandaj është e rëndësishme që të testojmë sipas rregullave të gjitha ato raste që ne duam të kemi rezultatin që nevojitet.

A keni kite? Sa kite dispononi?
Silva Bino: Ne kemi kitet e mjaftueshme në Institutin e Shëndetit Publik për të cilat mund të kryejmë testimin.

A mund të bëhen dhe në privat?
Silva Bino: Në dijeninë time nuk ka ndonjë laborator privat, i cili teston. Aktualisht kanë dalë shumë kite komerciale që po vlerësohen por pavarësisht këtyre, të gjitha testimet duhet të konfirmohen në laboratorin e virologjisë pranë ISHP.

Cila është mosha mesatare e të infektuarve me koronavirus?
Silva Bino: Në përgjithësi, në botë, mosha e cila kërkon kujdes shëndetësor, është mosha mbi 60 vjeç. Ndërsa mosha që kërkon kujdes intensiv, është mosha rreth 80 vjeç. Për këto pak raste që kemi ne, mosha e personave që kanë kërkuar kryesisht kujdes shëndetësor është 40 vjeç e lartë. Natyrisht mund të kemi pasur dhe ndonjë rast mes 20-30 vjeçëve por kanë qenë sporadike.

Si paraqitet gjendja shëndetësore e dy pacientëve të parë, ka ndonjë përmirësim?
Mira Rakacolli: Ne po monitorojmë me shumë kujdes gjendjen e pacientëve që janë të shtruar në spitalin infektiv. Më vjen mirë të them që gjendja shëndetësore e tre pacientëve të parë është përmirësuar ndjeshëm. Edhe pacientët e tjerë ndodhen në gjendje të qëndrueshme. Fatmirësisht nuk kemi asnjë rast që të kërkojë trajtim intensiv.

A lejon Ministria e Shëndetësisë që privati të kryejë analizën për koronavirusin?
Mira Rakacolli: Për MSH është shumë e rëndësishme që laboratori të jetë i certifikuar. Sot për sot i vetmi laborator i certifikuar nga OBSH është ai i ISHP-së.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb