NGA ENRIK MEHMETI*

VLORË- “Lëvizja Për Vlorën” ka zhvilluar një protestë mesditën e sotme për të dënuar vonesat e mungesën e cilësisë në Lungomaren e qytetit bregdetar duke e klasifikuar situatën shumë problematike.

Sipas protestuesve ndonëse na ndajnë vetëm pak ditë nga sezoni turistik dhe Lugomare është në fazat fillestare përveç faktit që mungesa e cilësisë së punimeve është shumë e dukshme.

“Qindra biznese po shkojnë drejt falimentit dhe qindra të tjera janë duke marrë atë rrugë me këtë situatë që është krijuar ku shumë turistë do ta anashkalojnë Vlorën për faktin e këtyre punimeve që po bëhen vetëm për t’u dukur dhe për të sjellë një bilanc tepër zhgënjyes”, është shprehur një prej protestuesve.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta në duar me shkrime “RIP Lungomare 2015”; “Stop Sabotimit të Vlorës”; “Stop shkatërrimit”; “Leli ik”; “Stop militantizmit”; “Lungomare, dështimi i qeverisë dhe bashkisë Vlorë”; “Stop bllokimit të turizmit në Vlorë”.

Arben Abazaj, një prej drejtuesve të lëvizjes është shprehur në lidhje me situatën aktuale se në shëtitoren e bregut të detit vijon historia e një mashtrimi që filloi me tritol e shkatërrim dhe ende vazhdon të mbaje peng turizmin e saj!

“Shkoni në Zvërnec, atje do shikoni dëshminë e indiferencës dhe papërgjegjshmërisë së pushtetit. Nuk ka më urë fare në Zvërnec. Kthehuni në Kanine, por mos harroni merrni mekanikun e automjetit me vete, apo aq më keq po menduat të veni në parkun e Orikut, që sot më shumë ngjan me një shkretëtirë! Jemi i vetmi qytet në botë që e kemi kryebashkiakun turistin tonë numër një! Ai punon në Kine, Amerikë, Itali, Holandë, Kosovë, e vjen në Vlorë për pushime, se relaksin e bën në Tiranë. Në fakt duhej të ishte punëtori numër një! Iu propozojmë që plazhin sivjet ta bëjnë bashkë me kryeministrin te Marina, vendi ku mburren se kanë investuar aq shumë për Vlorën! Ne qytetarët zotohemi se do mbledhim fonde për shërim sa më të shpejtë të tyre nga infeksioni!”, thotë ai.

Sipas “Lëvizjes për Vlorën”, protestat do të vijojnë deri në ngujimin e tyre pranë Lungomares, deri edhe në ngritjen e çadrave pranë zonës ku po punohet dhe zvarritet sipas qytetarëve projekti i Lungomares.

Migen Xhelo një tjetër protestues ka shtuar se gjithçka është fantazma e një iluzioni dëshpërues që ka hedhur rrënjë në gjithë hapësirën e tij. “Prej mëse tre vjetësh pjesa më atraktive e qytetit, shëtitorja e bregdetit mbahet në një gjendje shkatërrimi, rrënojash, gërmadhash, mungesë ndriçimi dhe mundësie normale shëtitjeje, duke sjellë që qyteti të humbasë pozitën favorizuese që ka në lidhje me zhvillimin e turizmit. Dhe ne e dimë shumë mirë çfarë do të thotë kjo për ekonominë e një qyteti që nuk prodhon asgjë tjetër, por gjithë investimet i ka në këtë drejtim”, tha Xhelo. Protestuesit kanë deklaruar se nëse nuk do të merren masa për përmirësimin e situatës, do të nisin një greve urie.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: