Mira Bregu – OKB
Gjenevë

Në mbrëmjen e 1 Dhjetorit 2016, në Pallatin e Kombeve –Gjenevë për nder të Ditës sonë Kombëtare u hap Ekspozita me temë “Besa, unë jam mbrojtësi juaj” si dhe një pritje për Trupin Diplomatik.
Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e “Universitetit Popullor Shqiptar” të Gjenevës që përkoi edhe me 20-vjetorin e kësaj shoqate, Republika dhe Kantoni Gjenevë, si dhe miqtë Hebrenj të shoqatës Yad Vashem-it,

Ceremonia u zhvillua në hollin e madh para dhomës XX, “Salla e Këshillit të Drejtave të Njeriut”. Një nga sallat më të rëndësishme në Palais des Nations, ku kontributi i vetëm nga të gjitha përfaqësitë është mbrojtja dhe përmirësimi i të drejtave të njeriut në botë.
Mes të pranishmëve në sallë: Ambasadorë, Diplomat, Përfaqësueses nga Kantoni Gjenevë dhe natyrisht shqiptarë që jetojnë në këtë qytet; e mori fjalën Michael Muller- Drejtori i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.

Midis të tjerash,në fjalën e tij Ai theksoi: “Nga kjo ekspozitë, shikon këta njerëz, pas tyre dhjetëra të tjerë që bën çdo gjë pa pasur një premtim apo një rikompensim për veprën e bërë, ndonjëherë edhe pa u njohur, apo pa marrë edhe një mirënjohje të thjeshtë. “Besa. I Am Your Protector” i adresohet atyre shqiptarëve që rrezikuan çdo gjë për të shpëtuar jetën e një tjetri. Dua të falënderoj me gjithë shpirt Misionin Shqiptar, Ambasadoren që kanë zgjedhur ta festojnë Ditën e tyre Kombëtare në këtë lloj mënyre! Nuk besoj se do ishte një tjetër forme më e mirë për ti bërë homazh kësaj kulture të pasur dhe shpirtit të tyre plot tolerancë!”

“Gjatë luftës së dytë botërore shqiptarët si ata myslimanë dhe të krishterë patën sukses aty ku shumë të tjerë dështuan, duke shpëtuar të gjithë Hebrenjtë që jetuan në territorin shqiptar.
Kjo ekspozitë e kurajës vjen sot e prezantuar në një kohë kritike…

Prej vitesh me radhë, problemet politike dhe ato shoqërore kanë vrarë me miliona e qindra njerëz nëpër botë. Gjeneva luan një rol kryesor në këto përpjekje si nga Komisioni i të Drejtave të Njeriut, organizatat e Migracionit, si dhe gjithashtu shumë OJQ që kanë si qëllim ndihmën dhe mbrojtjen e njerëzimit. Ndërkohë nga këto përpjekje, të gjithë ne, nuk duhet të harrojmë se, sa më i madh të jetë ndikimi ynë paqësor dhe human, aq më i madh do jetë edhe veprimi në terren.

Shpresoj që performanca e pasur muzikore t’ju inspirojë, në përpjekjet tona kolektive, për të ruajtur premtimet tona ndaj refugjatëve dhe emigrantëve!”

Më pas Ambasadorja e Misionit Shqiptar pranë OKB-së, Filloreta Kodra, përshëndeti të pranishmit dhe…Nuk po përmend këtu falënderimet që thuhen në këto raste nga një Ambasador…doja të përmend faktin e vetëm se:
Është hera e parë që gjatë këtij mandati 4-vjeçar, Ambasadorja Kodra fton Ndërkombëtarët, Trupin Diplomatik në Gjenevë për tu bërë pjesë e Festës së Pavarësisë Shqiptare, ashtu si për çdo përvjetor të gjitha Përfaqësitë Shtetërore pranë OKB-së dhe Organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë.
Duhej iniciativa e anëtares së zyrës së Migracionit në Gjenevë, drejtueses së “Universitetit Popullore shqiptar” Albana Krasniqi, që të mbledh në këtë pritje, për herë të parë, në nder të Kombit Shqiptar këta ndërkombëtare dhe titullarë nga Republika e Kantonit Gjenovian apo shqiptarë që u dhëmb kjo heshtje edhe më shumë, se jetojnë jashtë vendit, larg kufijve të saj!

Nëse justifikimi ishte buxheti i munguar…Të gjithë këta shqiptarë e njohin aq mirë situatën ekonomike të shtetit, sa të gjithë pa përjashtim, individ dhe shoqata do kontribuojnë për këtë ditë, për mos tu harruar, por veç për t’u kujtuar dhe nderuar!

Dhe…ja kështu si sot, me dëshirën e mirë të kësaj shoqate dhe diplomatëve në Mision u bë e mundur. Shpresoj që kjo fillesë të ketë gjithmonë vazhdimësi!

Një tjetër folës ishte edhe Manuel Torna- President i UPSH-së dhe Deputet I Gjenevës në Parlamentin Federal. Mes fjalëve plot mirënjohje për Shqiptarët që jetojnë në Gjenevë, shkëputa…
“Kemi nevojë për një shembull në këto momente, si ky I Shqipërisë qe gjatë luftës ishte një nga vendet e rralla që mbajti një qëndrim pozitiv dhe të drejtë ndaj Hebrenjve, ku shumë të tjerë nuk e bën, përfshirë edhe Zvicrën.
Besa është një ekspozitë ekzemplare për tu marrë shembull si nga shkollat ashtu edhe nga Gjeneva internacionale.”

Presidenti i Këshilli Bashkiak të Qytetit Gjenevë -Remy Burri, u shpreh :- “Kjo ekspozitë e veçantë më ka prekur shumë, deri në atë pikë sa mora të gjithë kolegët e mi të Këshillit Federal / Bashkiak për ta vizituar së bashku këtë ekspozitë, që të memorizojmë emrat e këtyre shpëtimtarëve Heronj.”

Zv.Présidenti i Komitetit Federal për Migrimin- Mais Piguet, theksoi :- “Ne duhet të kemi edhe më shumë ekspozita dhe shpjegime që të tregojnë bashkëjetesën dhe bashkëpunimin mes të gjithëve për një jetesë me të mire. Duhet të kemi sa më shumë ekspozita ku të tregojnë se përtej religjioneve, përtej fesë apo racave, njerëzit mund të bashkëjetojnë me njëri – tjetrin me dhe pa sakrificë për ta ndihmuar veten/njerëzimin.

Ky mesazh thelbësor që sjell kjo ekspozitë, është pikërisht edhe mesazhi që zyra federale e Migracionit kërkon të shpërndajë në Gjenevë.”

Në pjesën e dytë të fjalimeve, Drejtoresha e UPSH-së pasi falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët, ftoi një përfaqësues të Yad Vashem-it të thotë edhe ai falënderimet e tij, Si dhe nderoi për këtë 20 vjetor të Universitetit Popullor Shqiptar Gjenevë, themeluesin dhe mbështetësin kryesor Zviceran të të gjithë shqiptarëve -Ueli Leuenberger me një falënderim special të shkruar në gjuhën shqipe, si dhe një statujë të vogël të Legjendares shqiptare- Nënë Terezës, duke theksuar: “Një Humane për një Human”.

Nëse do ruaj linjën e humanizmit nuk mund të lë pa përmendur interesimin e të pranishmëve në sallë për ekspozitën “Besa”, unë jam mbrojtësi juaj”, ku edhe çuditshëm pyesnin për detaje apo për këtë traditë që për të gjithë ne shqiptarët ajo lind dhe buron, pa bujë, thjeshtë ndër breza!

Edhe pse kjo ekspozitë me fotografi nga amerikani Norma Gersham është iniciuar disa vite më parë nga bashkëpunimi i Ambasadës Izraelite dhe asaj Shqiptare në Bernë, edhe pse ka shëtitur në disa qytete nëpër gjithë Zvicrën, si edhe një vit më parë në qytetin e Gjenevës, përsëri Jehona e humanizmit Shqiptar, e Besës Shqiptare ndër shekuj edhe sot, thyen e rrëzon çdo të korruptuar shqiptar, qoftë ai qytetar apo pushtetarë!

Ndaj është krenari për këdo që kjo vlerë plot virtyte e popullit shqiptar, të tregohet/shfaqet edhe ballë ndërkombëtarëve, në selinë qendrore të Pallatit të Kombeve.

Gjithë pjesa e dytë e mbrëmjes u shoqërua me tingujt e këngës qytetare shqiptare, të interpretuara nga Mimoza Nazarko, Elona Mathieu dhe shoqëruar me piano nga Ermira Zyrakja.
Ekspozita e fotografisë “Besa” do të jetë e hapur në Pallatin e Kombeve deri më datën 9 dhjetor 2016.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: