Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) autorizoi sot Bashkimin Europian të vendosë gati katër miliardë dollarë sanksione për importet e SHBA-së në vit, në shenjë hakmarrjeje kundër subvencioneve të padrejta dhënë kompanisë së avionëve “Boeing”.

“Natyra e efekteve të pafavorshme, të lidhura me ndihmën ndaj prodhuesit amerikan të avionëve arrin në gati katër miliardë dollarë dhe Brukseli nuk mund të kërkojë kundërmasa që e tejkalojnë këtë shumë”, theksoi OBT në një raport të shumëpritur prej 137 faqesh.

Shuma e lejuar është nën 8,58 miliardë dollarët që kishte kërkuar BE, si ndëshkim për mbështetjen e SHBA-së për prodhuesin e avionëve “Boeing”.

Organi tregtar lëshoi vitin e kaluar një vendim të ngjashëm për SHBA-në, duke lejuar Uashingtonin të vendosë tarifa mbi 7,5 miliardë dollarë për mallrat europianë, si ndëshkim ndaj BE-së për subvencionimin “Airbus”, rivalit të “Boeing”-ut.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb