Nga: AURORA GOLEMI
Qeveria dëshiron që biznesi i HEC-eve te zhvillohet ne harmoni me mjedisin dhe opinion publik.
“Ne si ministri nuk kemi dhënë më leje mjedisore për HEC-et, nuk është se jemi kundër biznesit të HEC-eve, por duam që kjo industri të zhvillohet në harmoni me mjedisin dhe opinionin publik”. Kështu u shpreh ministri i mjedisit dhe turizmit Blendi Klosi në forumin “Advokacia qytetare dhe promovimi ne mbrojtjen e mjedisit” ku nuk la pa përmendur aksionet e institucionit që drejton.

Duke thënë se kapitulli 27 i integrimit, ai i mjedisit është më i vështiri për Shqipërinë, Klosi i kërkon shoqërisë civile të kritikojë vazhdimisht aksionet e ministrisë së tij. Nuk ka qenë aspak i butë në forum zëvendës ambasadori zviceran  Philipp Keller, pa përmendur ndonjë rast konkret, ai tha se shpesh herë shkelet ligji “Për konsultimin publik” para se të ndërtohet në mjedis.

“Përgjatë 25 viteve të fundit mjedisi është dëmtuar shumë në Shqipëri. Në disa zona dëmtimi është i parikuperueshëm dhe me pasoja negative për gjeneratat e ardhshme. Në kontekstin shqiptar ka shumë për të bërë, mungesa e eksperiencës kërkon jo vetëm përpjekje nga ana e qeverise por nga e gjithë shoqëria. Fatkeqësisht hapat që parashikohen nga ligji për konsultime nuk bëhen fare ose janë sipërfaqësore, sa për sy e faqe. Duhet të ketë një balancë mes ruajtjes së mjedisit dhe zhvillimit ekonomik, prandaj është e rëndësishme dhe një kërkese ligjore, konsulta me të gjithë palët e interesit, veçanërisht me komunitetet para çdo ndërtimi në mjedis. Natyra nuk flet dot vetë, duhet më shumë mbrojtje ligjore për mjedisin”, tha Philipp Keller zv. Ambasadori zviceran.

Forumi u organizua në kuadër të “Javës së Demokracisë Vendore 2018 nga shoqëria civile. Qëllimi i formatit është të vendoste përballë përfaqësuesit e shoqërisë civile, përfaqësuesit e bashkive, përfaqësuesit e qeverisë qendrore, ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë si dhe përfaqësues të biznesit, në një debat mbi sfidat e mbrojtjes së mjedisit përkundrejt zhvillimit ekonomik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb