Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se Zvicra ka vendosur masa të reja, sa i përket hyrjes në vend.

Duke filluar nga data 4 dhjetor, të gjithë personat që hyjnë në Zvicër, duke përfshirë edhe ata që janë vaksinuar ose janë shëruar nga Covid-19, duhet të testohen paraprakisht.

Përveç testimit para mbërritjes, një test i dytë, ose PCR ose antigjenik, duhet të kryhet në hapësirën kohore mes ditës së katërt dhe të shtatë, pas mbërritjes në Zvicër.

Këto janë rregullat e reja të vendosura nga qeveria e Zvicrës, për të kufizuar përhapjen e pandemisë Covid-19.

Sipas mediave vendase, testi i ri i detyrueshëm që Këshilli Federal ka futur në fuqi për të luftuar variantin Omikron vlen edhe për të vaksinuarit dhe të shëruarit që hyjnë në Zvicër nga cilido shtet tjetër.

Çfarë duhet të keni gati përveç testit PCR kur hyni në Zvicër?
Qeveria Federale kërkon që me rastin e hyrjes në vend të tregoni një formular të plotësuar udhëtimi.
“Të dhënat e kontaktit janë të rëndësishme nëse njerëzit duhet të informohen për një rast pozitiv në mjedisin e tyre,” thuhet në një fletëpalosje të publikuar nga BAG. Të gjithë personat mbi 16 vjeç i nënshtrohen rregullores së re, shkruan 20minuten.ch. Detyrimi pra vlen si për turistët ashtu dhe për qytetarët zviceranë që kthehen në vend. Për më tepër, do të jenë vetë udhëtarët që do t`i paguajnë shpenzimet.

Cilat përjashtime lejohen nga rregulli i testimit?
Ekzistojnë përjashtime për udhëtarët ndërkufitarë dhe për njerëzit që vijnë nga rajonet kufitare me Zvicrën. Ata nuk kanë nevojë të tregojnë test dhe as formular kontakti.

Kush e bën kontrollimin e testit të detyrueshëm?
Në rastin e udhëtimeve ajrore, tashmë ekziston një detyrim për të kontrolluar ata që hipin në aeroplan. Kompanitë ajrore janë përgjegjëse për këtë, transmeton albinfo.ch. “Ndërsa kur hyni me mjete të tjera transporti (tokësor) kryhen kontrolle të rastësishme në kufi për të përcaktuar nëse keni test negativ”, thuhet në fletëpalosjen federale.

Por pas hyrjes, kantonet mund të përdorin formularin e hyrjes për të kontrolluar nëse testi është kryer. “Në të njëjtën kohë, të gjitha hotelet dhe pronarët e shtëpive të pushimit janë të detyruar të kontrollojnë klientët nëse kanë test negativ ose jo.

Po sikur të mos e kem bërë testin?
Në këtë rast, autoritetet mund të vendosin gjobën e cila kushton 200 franga. “Edhe pas gjobës, personi i prekur duhet gjithashtu të testohet menjëherë pas hyrjes në vend dhe të informojë kantonin”, shkruan Qeveria Federale në udhëzimet e saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb