KOSOVË-Shefi i Forcave të Armatosura të Zvicrës, Gjeneral Lejtnant André Blattmann, ka qëndruar për vizitë në Kosovë dhe është takuar me komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Francesco Paolo Figliuolo.
Gjenerali Blattmann ka falënderuar gjithë KFOR-in dhe 31 vendet kontribuuese për angazhimin e tyre në mbarë botën për sigurinë, duke theksuar rëndësinë e qasjes së tyre gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë rajonale në Ballkan.

Në këtë drejtim, Gjenerali Figliuolo theksoi rolin efektiv të KFOR-it si ofrues i sigurisë në Kosovë dhe bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare në krijimin e kushteve për zhvillimin social dhe ekonomik të rajonit, raporton Telegrafi.

Gjenerali Blattmann konfirmoi se Zvicra në mënyrë aktive do të vazhdojë të mbështesë KFOR-in në vitet e ardhshme.

Në anën tjetër, komandanti i KFOR-it, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tillë që vjen nga një komb i cili gjithmonë ka pasur një traditë të neutralitetit dhe paanësisë, shprehu vlerësimin e tij për profesionalizmin e shkëlqyer të treguar nga anëtarët e shërbimit zviceran dhe aseteve të kalibrit të lartë, të tilla si helikopterët dhe pajisje të specializuara për inxhinieri, asgjësim të lëndëve shpërthyese dhe asgjësim të mjeteve të improvizuara shpërthyese.

Gjatë vizitës së tij, Gjenerali Blattmann u takua me personelin e Forcave të Armatosura zvicerane të vendosura në tërë Kosovën, duke përfshirë edhe Detashmentin e Përbashkët Rajonal Veri.

Detashmenti i Përbashkët Rajonal Veri shërben si trupë në terren, duke siguruar ndërgjegjësimin e KFOR-it për situatën në terren dhe vlerësimin e saj.

Për të realizuar misionin e tyre ata takohen me të gjithë udhëheqësit e komuniteteve të cilët janë të gatshëm të kontribuojnë për një mjedis të qetë dhe të sigurt.

Që nga tetori i vitit 1999, forcat e armatosura zvicerane kanë qenë të përfshira në misionin e KFOR-it. Aktualisht, janë rreth 200 pjesëtarë të shërbimit zviceran të vendosur në KFOR, me komandë të Detashmentit të Përbashkët Rajonal Veri të udhëhequr nga koloneli Fischer. Gjithashtu, pjesëtarë të shërbimit të Forcave të Armatosura zvicerane janë të vendosur në Kampin ‘Film City’, në Kampin në Prizren dhe Kampin Marechal de Lattre de Tassigny (Vushtrri).

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: