Zëvendëskryeministrja e PD-së Ledina Mandija i ka kërkuar informacion të detajuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në lidhje me kallëzimin ndaj administratorit të njësisë 2 në Tiranë, zyrtar i LSI-së Elez Gjoza.

Po kështu zv.kryeministrja teknike ka kërkuar që kjo çështje të futet në rendin e ditës të mbledhjes së Task-Forcës. Ky reagim i zv.kryeministres që drejton këtë organ të krijuar pas marrëveshjes Rama-Basha vjen pas deklaratave të njëpasnjëshme nga LSI se kallëzimi ndaj administratorit është politik.

“Nisur nga shqetësimet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim në adresë të zëvendëskryeministres Ledina Mandija, në cilësinë e drejtueses së Task-Forcës “Për monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017” të krijuar me VKM nr. 473, datë 01.06.2017, se kallëzimi i bërë në organin e prokurorisë nga Policia e Shtetit në ngarkim të z. Elez Gjoza është bërë pa kryer një vlerësim të thelluar të rrethanave të faktit, për cenimin e figurës të z. Gjoza dhe me qëllim pengimin e fushatës zgjedhore të LSI, zv.Kryeministrja Ledina Mandija ka kërkuar menjëherë që kjo çështje të futet për diskutimin në rendin e ditës në mbledhjen e ardhshme të Task-Forcës”, deklaron zyrtarisht zv.kryeministrja.

Znj. Mandija i ka kërkuar prej disa ditësh informacion urgjent Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako për procedurën e ndjekur dhe veprimet e kryera nga Policia e Shtetit për verifikimin e rastit në fjalë si dhe kopje të plotë të kallëzimit drejtuar organit të prokurorisë të shoqëruar me provat apo materialin shoqërues.

Mandija thekson edhe njëherë se Task Forca përmes rolit të saj koordinues nxit paanshmërinë dhe trajtimin e barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral.

PROCEDIMI I ADMINISTRATORIT TË LSI
Më 9 qershor policia e Tiranës ka kallëzuar administratorin e Njësisë Bashkiake nr. 2 në kryeqytet, Elez Gjoza, me dyshimin se nga viti 2013 e në vijim, ka regjistruar fiktivisht rreth 60-70 shtetas shqiptar, me të njëjtin kod banimi në banesën në pronësi të tij. Dyshohet se transferimi i gjendjeve civile të këtyre shtetasve dhe regjistrimi i tyre pranë Njësisë Bashkiake nr. 2 është kryer me qëllimin ndikimin në zgjedhjet e 25 qershorit, duke u premtuar këtyre shtetasve vende pune në këmbim të votës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb