Kreu i SPAK Arben Kraja ka raportuar tek Komisioni i Ligjeve në lidhje me punën e institucionit që drejton për vitin 2020.

Kraja theksoi se gjatë vitit që lamë pas, u rrit bashkëpunimi i SPAK me autoritetet e huaja, duke shtuar se u goditën edhe pasuritë kriminale.

“Nga 746 persona nën hetim, 515 prej tyre janë hetuar me masa sigurimi, ndërsa 231 persona janë hetuar në gjendje të lirë. Nga personat e hetuar me masa sigurimi, 288 prej tyre janë hetuar me masën arrest me burg, nga të 257 janë ekzekutuar ndërsa për 31 persona është vendosur masa e sigurisë arrest në mungesë.  Masa e sigurisë arrest me burg për 198 persona është vendosur për veprat penale që lidhen me krimin e organizuar.

Më shumë procedime kemi në fushën e korrupsionit. Zyra e Përgjimeve është në gjendje pune, me kapacitet të plotë. Ne kemi bashkëpunuar ndërkombëtarisht, siç parashikon ligji. Në SPAK janë trajtuar 69 kërkesa nga vendet e tjera, 20 prej të cilave kanë qenë të mbartura nga Krimet e Huaja. Numri i lartë i tyre tregon besimin e institucioneve ndërkombëtare tek SPAK. Veprat penale të hetuara bashkë me të huajt kanë qenë ato për trafik të lëndëve narkotike dhe grup i strukturuar kriminal. Janë kryer edhe ekstradime me shtete të huaja, 43 gjithsej. Kemi bashkëpunuar edhe me antimafien dhe antikrimin në Itali, si dhe autoritetet në Kroaci. Edhe në kuadër të OFL-së, SPAK ka mbrojtur para gjykatës kërkesat për sekuestrim pasurie”, tha Kraja.
Arben Kraja deklaroi se janë pranuar 115 kërkesa të SPAK në gjykatë për sekuestrim pasurie.

Nga 120 kërkesa për sekuestrim pasurie, 115 janë pranuar. Janë mbi 200 pasuri të paluajtshme të sekuestruara. Është vepruar edhe në kuadër të ligjit antimafia, ku janë kryer po ashtu sekuestrim pasurie. Goditja e pasurisë kriminale kanë qenë shumë të efektshme dhe në një periudhë tepër të shkurtër. Janë dënuar 50 persona, pas kërkesës së SPAK. Kemi punuar edhe në drejtim të vendosjes të disa të burgosurve në një regjim të posaçëm.

E rëndësishme është që procesi ka qenë ligjor dhe është në monitorim të vazhdueshëm e ka funksionuar. U zgjodh drejtori i BKH-së, me një proces të rregullt e demokratik.  Kemi punur në asistencë me autoritetet e huaja, europiane dhe ato amerikane. Kemi pasur asistencë edhe nga EURALIUS. Përfaqësuesit e SPAK kanë raportuar edhe në Ministrinë e Drejtësisë, edhe raportin e GREKOS-s. Kemi bërë një punë kolosale dhe jemi përpjekur të bëjmë më të mirën”, u shpreh Kraja.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: