NGA OLA MITRE*

Zef Ndoja, një 56-vjeçar i papunë, i duhet të paraqitet çdo muaj në zyrën e punës për të firmosur e vulosur kartelën personale të punëkërkuesit, pasi vetëm në këtë mënyrë nuk do të humbasë statusin e të papunit. Babai i 8 fëmijëve nuk ka mundur të përfundojë një shkollë dhe, sikurse pohon edhe vetë, gjithçka di të bëjë është ‘lopata’, që fatkeqësisht shumë rrallë i mundëson të ardhura.

Edhe bashkëshortja e tij e ka të pamundur të punësohet, ndërsa tregon se falë statusit si nënë me shumë fëmijë përfiton nga shteti 10 mijë lekë në muaj. Por, teksa Zefi ka muaj të tërë që përballet me mungesën e një oferte pune nga zyra e punës, fakti se duhet të paraqitet çdo muaj për të vulosur kartelën ia ka vështirësuar edhe më tepër jetën.

Ai rrëfen për “Gazeta Shqiptare” se çdo muaj rri në radhë me orë të tëra, ndonëse ka një orar të paracaktuar në kartelë. “Kam ca kohë që jam regjistruar në zyrën e punës, por nuk më kanë ofruar asnjë punë. Por radhët te zyra e punës po na e nxijnë jetën. Brenda punohet me vetëm 2 sportele dhe ne rrimë e presim për orë të tëra, në këmbë, se nuk ka asnjë stol ku të ulesh”, – shprehet Zefi. Të njëjtin shqetësim ka edhe Ramazan Luga, një tjetër i papunë, i cili thotë se, prej orës 10:00 deri në orën 15:00, nuk ka mundur të futet brenda për të firmosur kartelën.

“Punojnë vetëm dy vetë, ndërsa unë duhet të vij çdo muaj për të marrë vulën. E kam me detyrim. Ne kemi arritur në atë pikë sa mendojmë që, po s’pati radhë, është problem. Sorollatemi e këta s’thonë asgjë, thjesht ka radhë. Madje ka raste që nuk mbarojmë dot në një ditë dhe rikthehemi ditën tjetër”, – ankohet Ramazani.

SITUATA
Radhë të gjata pritjeje për një vërtetim apo për një vulë. Kjo është panorama që të ofron Drejtoria Rajonale e Shërbimit Kombëtar të Punësimit në kryeqytet, një zyrë që nuk i ngjan aspak asaj ‘modernes’, që ndodhet përballë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ndonëse qytetarët paraqiten në orët e para të mëngjesit, e kanë të pamundur të mbarojnë punë për pak minuta, çka çdo ditë shkakton radhë të gjata pritjeje.

Nga ana tjetër, përmes një njoftimi të vendosur në hyrje të saj, bëhet me dije se shërbimi ofrohet nga ora 8:00- 15:00, duke mos shpjeguar se cilat janë arsyet e reduktimit me një orë, të orarit zyrtar të punës. Ambienti pritës nuk i kalon 6 metrat katrorë, ndërsa një stol i vendosur aty, mund t’u ofrojë një vend për t’u ulur vetëm tre personave. Nga ana tjetër, SHKP-ja është kujdesur për të vendosur një strukturë hekuri, për të orientuar qytetarët në radhë, e që shpeshherë shërben si mbështetëse për qytetarët pritës.

LIGJI I RI
Në janar të këtij viti hyri në fuqi ligji “Për punëkërkuesit”, sipas të cilit, “të gjithë ata persona që janë regjistruar nëpër zyrat e punës duhet të paraqiten çdo muaj ose sa herë t’u kërkohet pranë tyre për të konfirmuar statusin e punëkërkuesit”. Ndërkohë që, “në rast se të regjistruarit nuk do të paraqiten çdo muaj, atëherë do t’u hiqet apo refuzohet statusi i punëkërkuesit”. Sipas ligjit, ky detyrim vlen jo vetëm për ata që përfitojnë ndihmën ekonomike apo pagesën e papunësisë, por për çdo punëkërkues të regjistruar pranë zyrave të punës. Ndonëse ligji ka pak kohë që ka hyrë në fuqi, ky ndryshim duket se ka rënduar mjaft situatën pranë zyrave të punës, duke shtuar ndjeshëm numrin e qytetarëve, të cilët, për të mos humbur statusin, paraqiten çdo muaj për të vulosur e firmosur kartelat përkatëse. Një tjetër detyrim, që iu ka lindur këtyre personave nga ligji i ri është edhe raportimi i përpjekjeve individuale për të gjetur një punë. Por, ndonëse këto përpjekje private të individëve duhej të vlerësoheshin nga strukturat shtetërore, duket se ata rrezikojnë sërish statusin ‘nëse harrojnë ta deklarojnë’.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: