TIRANË- Zyra e shtypit të kandidatit të ASHE-së, Erion Veliaj i ka quajtur shpifje akuzat e bëra nga opozita për Ajola Xoxën, si e përfshirë në ccështjen “Becchetti”.

Sipas zyrës së kandidatit të majtë, në mungesë të programit dhe vizionit për Tiranën, PD zgjedh sulmin personal ndaj familjes së Veliaj.

“Sa më shumë afron data e zgjedhjeve të 21 qershorit, aq më shumë është në panik Partia Demokratike. Në mungesë të programit dhe vizionit për Tiranën, të zhytur në dështimin e 4 viteve të fundit gjumë të Lulzim Bashës, e vetmja alternativë për Partinë Demokratike në këto zgjedhje është sulmi personal për familjen e Erion Veliajt, duke hedhur baltë mbi bashkëshorten e tij”, thuhet në reagimin e zyrës së Veliaj.

Më tej sqarohet se Ajola Xoxa nuk ka qenë avokate personale e Becchettit por e punësuar pranë një studioje ligjore.

“Siç e kemi sqaruar edhe më parë, Ajola Xoxa në harkun kohor 2012-2014 ka punuar si juriste e asociuar pranë studios ligjore Tashko-Pustina. Ajo nuk ka patur asnjë klient të vetin dhe asnjë marrëdhënie financiare me ndonjë klient të studios. Zonja Xoxa është paguar vetëm nga studio ligjore dhe ka ofruar shërbimin e saj profesional për klientët e studios, sipas kërkesës së drejtuesve të studios. Theksojmë se Ajola Xoxa nuk ka qenë në asnjë moment personalisht përfaqësuese ligjore për Franchesco Bechettin, apo për ndonjë prej kompanive të tij”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë Zyra e Shtypit të kandidatit të majtë shprehet se nëse opozita vijon sulmet, Ajola Xoxa do ti drejtohet gjykatave.

“Nëse media të caktuara apo deputetë të opozitës do të vazhdojnë këtë sulm shpifjesh dhe fyerjesh ndaj znj. Ajola Xoxa, ajo do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të rivendosur të drejtat e saj të cenuara, duke kërkuar që shkelësit të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit! Kandidati i ASHE për Tiranën Erion Veliaj mbështet luftën pa kompromis ndaj evazionit fiskal dhe pastrimit të parave, si edhe principin se një media nuk mund të jetë e lirë dhe e ndershme kur financohet nga individë apo kompani të përfshira në aktivitete të jashtëligjshme”, përfundon reagimi.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb